Trashëgimia Kulturore pa Kufij (Cultural Heritage without Borders [CHwB]), një organizatë suedeze e pavarur joqeveritare që i dedikohet shpëtimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore, kremton 20-vjetorin e krijimit. CHwB është themeluar më Prill të 1995, si reagim ndaj shkatërrimit sistematik të monumenteve dhe objekteve kulturore gjatë luftës në ish-Jugosllavi dhe nevojës urgjente për asistencë për zhvillim dhe mbrojtje. CHwB vazhdon të jetë prezente në Balkanin Perëndimor nëpërmjet projekteve të saj, dhe aktivitetin e ka shtrirë përtej këtij rajoni.
Teksa përgatitemi për fillimin e dekadës së tretë të aktivitetit tonë, CHwB numëron më shumë se 200 monumente të restauruara dhe rivitaziluara në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor; ka forcuar partneritetin me institucionet qeveritare dhe shoqërinë civile; krijimin e një rrjeti rajonal me më shumë se 40 museume të rajonit me synim përmirësimin e aksesit dhe menaxhimit gjithëpërfshirës; më shumë se 500 profesionist të rinj janë trajnuar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe menaxhimin e përgjegjshëm të saj.
“Mbrojtja dhe preservimi i trashëgimisë kulturore është shumë e rëndësishme për zhvillimin e çdo shoqërie. Që nga themelimi i saj, CHwB ka punuar për trashëgiminë kulturore si një forcë aktive për pajtimin, ndërtimin e paqes dhe zhvillimin ekonomik e social në vendet e botës,” tha Ing-Marie Munktell, presidente e CHwB.
E pranishme në Shqipëri që prej vitit 2009, CHwB ka kryer disa prej punëve më të rëndësishme, si:
- restaurimi dhe rivitalizimi i dy Shtëpive Babameto, monumente të Kategorisë së I dhe II;
- ndërhyrja emergjente konservuese në kishën e Shën Nikollës në Voskopojë;
- ndërhyrja emergjente konservuese në monumentet Hadëri dhe Gurgai, në Gjirokastër;
- restaurimi (në proces) i hamamit në Krujë;
- “Shkëmbejmë Përvojat, Formësojmë të Ardhmen: Dialogjet për Spaçin”, një seri seminaresh që synojnë krijimin e një hapësire të përbashkët për shqiptarët për eksplorimin dhe përballjen me historinë dhe trashëgiminë e të kaluarës komuniste të vendit;
- E Ka Kush e Ka, një seri libërthash dhe lojërash që synojnë të përfshijnë fëmijët në njohjen e trashëgimisë kulturore.
- Atelia e Trashëgimisë, aktivitete që kanë për kryefjalë fëmijët dhe kombinojnë vizita në vendet e trashëgimisë me sesione praktike pune në klasë. Në 2014 u organizuan 6 Atelie në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku morën pjesë mbi 170 fëmijë dhe 30 prindër.
- Kampet Rajonale të Restaurimit (RRC), një program dy-javor që organizohet në Ballkanin Perëndimor, ku pjesëmarrësit ndjekin një plan rigoroz dhe të plotë, duke kombinuar teorinë me punën praktike dhe interpretimin dhe menaxhimin e vendeve të trashëgimisë kulturore.
“Për ne si organizatë, ekziston një lidhje e qartë me restaurimit të një ndërtese dhe ndërtimit të marrëdhënieve njerëzore, besimit, ekonomise dhe vetë shoqërisë. Një ndërtesë, më shumë se sa mure dhe çati, është një lidhje me të kaluarën dhe është pjesë e historisë dhe identitetit të një populli,” tha Lejla Hadžič, drejtore e zyrës për CHwB Albania
Trashëgimia Kulturore pa Kufij është e pranishme edhe në Bosnje Herzegovinë, ku punon me një sërë projektesh restauruese dhe aktivitetesh muzeore; si dhe në Kosovë, ku fokusi është përdorimi i trashëgimisë kulturore në promovimin e pjesëmarrjes së publikut si parakusht për pajtimin dhe zhvillimin vendas.
E vlerësuar në rang ndërkombëtar, CHwB është nderuar dy herë me çmimin prestigjoz të Bashkimit Europian për trashëgiminë kulturore/Çmimi Europa Nostra: në 2006 në kategorinë “Për Shërbimin e Dedikuar” për punët e kryera në të gjithë Ballkanin Perëndimor, dhe në 2014 në kategorinë “Edukimi, Trajnimi dhe Ndërgjegjësimi Publik” për modelin e Kampeve Rajonal Restaurues. CHwB gjithashtu është nderuar me Çmimin Zero për përmirësimin e aksesit për kulturën dhe është vlerësuar nga Shoqata Serbe për Mbrojtjen e Kulturës për përmirësimin e kushteve për bashkëpunim ndërkombëtar dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në rajon.
Trashëgimia Kulturore pa Kufij do të vazhdojë të punojë për përmirësimin e kushteve dhe mundësime për të shijuar lirinë dhe shumëllojshmërinë kulturore dhe të përdorë trashëgiminë kulturore si një instrument për promovimin e të drejtave të njeriut, ndërtimit të paqes dhe zhvillimit demokratik.