Këtë fundjavë një grup i pasionuar studentësh dhe profesionistësh të rinj u mblodhën në ambientet e Ministrisë së Kulturës për të krijuar dhe prezantuar planet e tyre të biznesit, me synim rritjen e rolit të trashëgimisë kulturore në zhvillimin e turizmit në Shqipëri.
Startup Weekend Tirana është një grupim 54-orësh i njerëzve që kanë interes në zhvillimin, dizenjimin dhe marketimin e ideve të tyre të biznesit. Këta sipërmarrës bashkohen një fundjavë për të krijuar ekipe, prezantuar , për të punuar për ndërtimin e produkteve dhe për të garua për çmimin e madh për të sjellë në jetë idetë e tyre. Është hera e katërt që Startup Weekend Tirana zhvillohet në vendin tonë, por hera e parë që fokusohet te inovacioni në fushën e turizmit dhe trashëgimisë kulturore. Këtë vit eventi organizohet me mbështetjen e CHwB Albania, Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Rreth 50 studentë dhe profesionistë të rinj morën pjesë në Startup Weekend Tirana, ku u prezantuan 11 ide inovative për biznese që përfshijnë trashëgimin kulturore si mjet kryesor për zhvillimin e turizmit. Të premten, në fillim të Startup Weekend Tirana, pjesëmarrësit prezantuan idetë e tyre të biznesit dhe formuan ekipet e nevojshme. Ditën e shtunë, sipërmarrësit e ardhshëm punuan mbi idetë duke formuar modelet e tyre të biznesit, të cilat përfshinin identifikimin e partnerëve kryesorë, strukturimin e kostove, burimet e të ardhurave, aktivitetet dhe burimet kryesore, kanalet e komunikimit dhe audiencat e synuara. Mentorët, të cilët vinin nga fusha të ndryshme si turizmi, sipërmarrja, financa dhe ligjori, ju ofruan grupeve ekspertizën e tyre, duke i këshilluar për një model sa më të suksesshëm. Të dielën paradite pjesëmarrësit bën përgatitjet e fundit, ku përfshihej plani i komunikimit dhe marketingut, dhe në orën 17:00 prezantuan modelet e biznesit të tyre të ardhshëm. Mes modeleve të prezantuara ishte edhe Ciceroni.com, një platformë për lidhjen e guidave turistike me turistët e huaj; Digital Heritage, që synonte hartëzimin e të gjithë monumenteve të kulturore në Shqipëri; 3D Museum, që përfshinte krijimin e një muzeu dixhital në qytetin e Gjirokastrës, etj.
Juria, e përbërë nga Lejla Hadzic nga CHwB Albania, Shkëlzen Marku nga Yunus Social Business, Etleva Sakajeva nga Tirana Business Park, Erion Nako nga SAP West Balkans, dhe Lorenc Çala nga Autoriteti Shtetëror për Informacionin Hapësinor (ASIG), përzgjodhi si fitues të çmimit të parë projektin e quajtur Tung AL. Çmimi i dytë i shkoi Motive Shqiptare ndërsa çmimi i tretë i shkoi projektit për Digital Museum
Talent Garden Tirana dha dhe një cmim special për projektet Cicero dhe Tung Al.