Shpresa që Ngjallet me Kampet Rajonale të Restaurimit

img_8976Vendosja e skelave në hyrje të sokakut në Goricë ngjalli kërshërinë e banorëve të lagjes së qyteti-muze të Beratit. Aty, pas 30 edicionesh të Kampeve Rajonale të Restaurimit, 30 studentë dhe profesionistë të rinj të Arkitekturës dhe trashëgimisë kulturore, u mblodhën për të ndërhyrë në tri banesa historike. E njejta kureshtje u vërejt edhe në shikimet e vendasve, por edhe turistëve të huaj teksa vizitonin Kishën e Shën Triadhës, një tjetër vend ku u punua gjatë Kampit të 30-të Rajonal të Restaurimit.

tekkePër dy javë, nga datat 18 -30 shtator, nga qyteti 2400 vjeçar lektorë nga Suedia, Anglia, Italia, Greqia, Bosnje-Hercegovina dhe Shqipëria, ligjëruan mbi   “konservimin e trashëgimisë kulturore”, “drurin dhe gurin në strukturat historike”, “restaurimin e afreskove”, “përfitimet ekonomike të ruajtjes së trashëgimisë” si dhe teoritë e interpretimit.  Ndërsa pjesëmarrësit, të asistuar nga mjeshtrat e Beratit me dhjetra vite eksperiencë mbi supe, i vunë në praktikë dijet e marra. Qoftë në porta të harkuara, suva të rëna, afresko të dëmtuara ata u përkushtuan njëlloj që nga dita e parë deri tek e fundit.

castleTë njëjtat tematika u mbajtën edhe në Kampin e 31-të Rajonal të Restaurimit të organizuara në “shtëpinë” e kampeve, Gjirokastër. Pjesë e listës së mbrojtjur nga UNESCO, së bashku me Beratin, qyteti i çative të përhimta të Kadaresë i priti edhe këtë radhë krahëhapur 25 pjesëmarrësit nga 6 vende të Rajonit. Ata punuan në tri banesa monument kulture të kategorisë së 1-rë: Banesën Angoni në lagjen Dunavat dhe banesat Jaho-Babaramo dhe Toro në Palorto.

sttrinityPartneriteti me Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare në të dy qytetet funksioni thuajse në perfeksion. Për Eugen Kallfanin, drejtorin e DRKK Berat, bashkëpunimi ishte shumë i frytshëm. “CHwB gjithë keto vite ka qenë tepër aktive në fushën e Trashëgimisë , në ruajtjen, konservimin, organizimin e seminareve dhe workshopeve . Për këtë duhet t’i përgëzoj sinqerisht CHwB -në dhe kreun e saj për organizimin e këtij Kampi. Këto dy javë ishin një mundësi e mirë për brezin e ri për të zgjeruar njohuritë e tyre, shkëmbyer eksperienca, dhe fokusohen në aplikimin e shembujve teorikë dhe praktikë në trashëgimi.” “Përfunduam restaurimet në tri banesa, monument kulture të kategorisë I, pas një bashkëpunimi të shkëlqyer dhe efikas me organizatën CHwB Albania dhe kampet e saj të restaurimit. Faleminderit organizatës, mjeshtrave dhe studentëve nga Ballkani që punuan në këto projekte”, u shpreh Albert Kasi, Drejtor i DRKK Gjirokastër.

masterxhoxhiPër studentët dhe mjeshtrat, Kampet i tejkaluan pritshmëritë. Ambra Myftari, studente e Trashëgimisë Kulturore dhe pjesëmarrëse në Kampin e Beratit, e ngriti në qiell mjeshtrin e gurit me të cilin punoi, Xhoxhi Fani. “Ai ishte heroi ynë. Ai nuk e la harkun e portës të binte, harkun për të cilin u kujdesëm për plot 14 ditë. Mjeshtri na mësoi me pasion për artin e të punuarit të gurit. Xhoxhi është një mjeshtër dhe njeri i madh”. Të njëjtën mund të dëgjoje nga gojët e studentëve për Agron Hyskën, Arif Huson, Fadil Krasniqin e Besfort Axhanelën në Gjirokastër dhe Vladimir Poçin, Rasim Shukën e Lili Garulin në Berat.

toroSa u përket mjeshtrave, ata mbetën të mrekulluar nga dedikimi i studentëve. “Janë të interesuar, punojnë deri në sakrificë”, na thotë mjeshtër Rufo (sic e thërrasin Arif Huson në Gjirokastër) për grupin e tij në Banesën Angoni. “Kanë kuriozitet për t’u vlerësuar. U kam mësuar të kenë dëshirë e ambicje e të mos i thonë jo punës”, gjegjet Rasimi, mjeshtri i fasadës në njërën prej shtëpive goricare.

facadeKomuniteti gjithashtu i ka mirëpritur studentët dhe profesionistët e rinj nga Ballkani. Elida Zhulali, artizane nga Gjirokastra rrëfen se “kampet dhe CHwB Albania” tashmë janë një markë.  “E shikon këtë Rrugën e Zejtarëve në Qafën e Pazarit? Qendra e artizanatit ku punoj është restauruar nga CHwB-ja. E mira është se bashkë me restaurimin erdhi dhe rijetëzimi”.

img_9001Për Raimonda Kallapudhi, pronare e Banesës Jaho, shtëpia e saj është e vjetër, do mirëmbajtje të madhe, por a nuk janë kështu dashuritë? Teksa flet me ne Monda e shpërfaq ngado këtë dashuri. “Në çdo ndërhyrje që është bërë në shtëpi jam mundur ta ruaj të vjetrën, jo ta “shqep”. Gjithmonë më thonë: shite sëndukun e vjetër lëkurë-kali të stërgjyshës, shite edhe mangallin origjinal te Muzeu i qytetit. Unë u them që shtëpia ime është vetë muze. Dua që një ose dy dhoma t’i kthej në “guest house” për turistë. Të ardhurat që do të fitoj do t’i investoj të gjitha për t’i kthyer lavdinë e dikurshme shtëpisë. Kohën kur ishte shtëpia me oborrin më të bukur, me trëndafila turqie; kur te muslluku vinin tërë gratë e lagjes për të mbushur ujë. Shtëpia ime është e paçmueshme. Siç na e lanë të parët, ashtu do t’ua lemë edhe ne pasardhësve”, shprehet ajo.

Historiani Ajet Nallbani e çmon organizimin e Kampit në Berat. “Sollëm në Berat ekspertë nga disa vende të botës. U munduam gjithashtu të transmetojmë mjeshtërinë te brezi i ri.  Nismë pozitive që na jep shpresë për të ardhmen”.

Shpresë, të cilën CHwB Albania synon ta përligjë me Kampet e restaurimit dhe plot aktivitete të tjera në vitin 2017.

Lajmet e fundit