Një bashkëpunim i suksesshëm me mësues, edukatorë e prindër
Gjatë vitit 2016 CHwB Albania ndërmorri gjithsej 13 atelie në qytete dhe fshatra të ndryshme të Shqipërisë si Gjirokastra, Berati, Tirana si dhe në Prishtinë, Kosovë. Numri i fëmijëve pjesëmarrës në atelie për këtë vit ishte 273. Aktivitetet u zhvilluan në bashkëpunim të ngushtë me mbi 70 përgjegjës staf pedagogjik (mësues/edukatorë), specialistë të fushës si dhe vullnetarë që kanë dhënë një dorë gjatë atelieve. Me kënaqësi kemi vërejtur që shpesh kanë qenë vete këta profesionistë që kanë udhëhequr aktivitetet dhe kanë dhënë një reagim të detajuar në lidhje me artikujt e koleksionit, sesi mund të përmirësohen apo të shtohet larmia e tyre. Të shumta janë kërkesat nga mësues, prindër dhe dashamirës për organizimin e atelieve dhe kjo na bën të punojmë dhe me më shumë përulësi për të përfshirë sa më shumë fëmijë në aktivitete të këtij lloji, për të vazhduar së përçuari – sot më shumë se kurrë – mesazhin që trashëgimia është e të gjithëve, kudo e ngado, si dhe të shpresojmë në qëndrueshmërinë e kësaj nisme dhe aktiviteteve të ngjashme.
Vëmendje e veçantë për fëmijët me qasje më të pakët në edukimin për trashëgiminë
Këtë vit atelietë u organizuan në zona rurale, ku për shkak të kushteve të vështira ekonomike pjesëmarrja e fëmijëve në aktivitete të ngjashme është e pakët, ndonjëhërë gati e pamundur, si për shembull në Përsqop dhe Shkozë (Tiranë) apo Shën Todër dhe lagjia Zinxhira (Gjirokastër).
Gjithashtu në fokusin tonë kanë qenë dhe grupe specifike, si komuniteti rom, ai egjiptian apo fëmijë me nevoja të veçanta apo të braktisur. Kjo punë ka në thelbin e saj vështirësi, por edhe kënaqësi e solidaritet. Kështu, në bashkëpunimin me qëndrën e autizmit në qytetin e Gjirokastrës janë mbajtur atelie me fëmijët autikë si dhe me fëmijët me nevoja të veçanta. Ndërsa me fëmijët e komunitetit rom janë organizuar atelie në kopshtin Zinxhira të Gjirokastrës dhe në Tiranë. Edhe komuniteti egjyptian u bë pjesë e një atelieje realizuar me kopshtin e “Lagjes Punëtore”, Gjirokastër. Këto atelie kanë pasur si mesazh kryesor që secili ka të drejtën të gëzojë, të ketë qasje dhe të jetë pjesë e trashëgimisë kulturore. Trashëgimia u përket të gjithëve, ndaj përmes atelieve kemi kërkuar të mundësojmë pjesëmarrje aktive për të ndihmuar me njohjen e trashëgimisë që në vegjeli, për të stimular të kuptuarin, të vlerësuarit si kushte të domosdoshme për të vepruarit për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë.
Një artikull i ri për këtë vit : “Fustanella, Moda Shqiptare e Fustaneve për Burra”
Tematikave të ndryshme që përmbajnë libërthat e koleksionit “E Ka Kush e Ka” për këtë vit u është shtuar edhe një artikull i ri: “Fustanella, Moda Shqiptare e Fustaneve për Burra”. Artikulli, i cili u mirëprit nga fëmijët, ka rritur edhe më tej gamën e gjerë të tematikave të trashëgimisë kulturore shqiptare të trajtuara në libërthat për fëmijët e grupmoshave të ndryshme. Fustanella u përdor fillimisht në një atelie në shkollën 9-vjeçare “Petro Goga” në fshatin Shën Todër, Lunxhëri. Duke marrë shtysë nga fustanella, libërthi rreket të japë njohuri mbi këtë veshje të traditës duke trajtuar tema të rëndësishme si ndryshimi i mënyrave të jetesës në kohë, si dhe rreziqet që mbart uniformizimi i tyre. Gjithashtu, libërthi i fton fëmijët në një debat të kujdesshëm dhe kritik me fokus çështjet gjinore. E ku ka më mirë se bukuria dhe eleganca e fustanellës – të quajtur jo më kot kostumi tipik i burrave shqiptarë – për të zbutur paragjykimet me sfond gjinor duke i mëshuar faktit që ndjenjat, ëndërrat, të drejtat madje edhe fustanet i përkasin të gjitha qënieve njerëzore njësoj.
Ndikimi pozitiv në rritjen tonë të mëtejshme profesionale dhe personale
CHwB Shqipëri ka punuar nga afër me stafet pedagogjike duke përmbushur sadopak nevojën dhe kërkesën e tyre për aktivitete alternative jashtë-shkollore. Qasja e qëndrueshme në aktivitete të tilla është një nevojë që bashkon strukturat e ndryshme me të cilat bashkëpunuam, nga kopshtet, shkollat, qendrat kultorore për fëmijë, për të përfunduar me strukturat e specializuara.
Qëndrimi i stafit pedagogjik, edukatorë, mësues apo specialistë, është i ndryshëm si rrjedhojë e vështirësive apo hapësirave që mundëson plani i tyre vjetor i punës. Për të qënë sa më efikasë do të na duhet të vendosim një kalendar të përbashkët me ta për zhvillimin e atelieve për rritjen e përputhshmërisë me kurrikulat dhe maksimizimin e impaktit të atelieve (njohurive rreth trashëgimisë kulturore të marrë në aktivitete praktike, vizitat dhe diskutimet).
Një tjetër vështirësi ka qënë mungesa e logjistikës së nevojshme nëpër shkolla që u ka pamundësuar fëmijëve të zonave rurale njohjen me aspekte të trashëgimisë që ndodhen fare pranë tyre. Kështu gjatë punës në Shën Todër fëmijët iu përgjigjën negativisht pyetjes nëse kishin vizituar një shtëpi gjirokastrite, ndërkohë që nga mësuesit mësuam se ekskursionet në Gjirokastër janë pothuajse të pamundura.
Shpërndarja e atelieve ka rritur efiçencën tonë në zhvillimin e aktiviteteve duke na paraqitur nevojën që kanë këta fëmijë për dije rreth trashëgimisë kulturore. Kombinimi i aktivitetit, ku ndërthurren teoria dhe loja, bën që qasja me monumentet, trashëgiminë kulturore të jetë më e madhe, kjo për faktin se fëmijët nxënë më shumë nëpërmjet përvojave personale dhe metodave shumë-ndjesore. Permes rritjes së ndjesisë e kuriozitetit tek këta fëmijë bëhet i mundur ndërveprimi më shumë më komunitetin përreth, objektet, trashëgiminë kulturore, etj.
Në çdo atelie kemi parë reagime emocionale të ndryshme të fëmijëve, diku duke na përqafuar, diku duke na u lutur të shkojmë sërish dhe diku tjetër duke kërkuar më shumë libërtha e lojëra të tilla për vëllezerit e motrat e tyre. Kjo na gëzon, por dhe na vë përpara përgjegjësisë për të rritur rrezen e veprimit të atelieve dhe përfshirë në to sa më shumë fëmijë, prindër e mësues. Janë këta të fundit vija e parë e edukimit dhe formimit të qytetarëve më të mirë të së nesërmes (më shumë së një prind na ka pyetur “Kur t’i sjellim fëmijët sërish, apo ku mund t’i regjistrojmë në aktivitete të tilla?”). Kjo na bën të reflektojmë se si mund të ndihmojmë më tej duke qënë se ky është një problem që përmendet shpesh nga stafi pedagogjik në shkollat dhe kopshtet me të cilët kemi bashkëpunuar deri më sot.