Ndërhyrje emergjente dhe një qasje e re për Gjirokastrën

Pastrimi i një koridori në anën lindore të katit të parë

Pastrimi i një koridori në anën lindore të katit të parë

Trashëgimia Kulturore pa Kufij (Cultural Heritage without Borders) ka nisur implementimin e projektit “Gjirokastra, aty ku fillon ndryshimi – Banesat Monumentale të Gjirokastrës”. Iniciativa po financohet nga Fondi Prince Claus, në kuadër të programit CER (Cultural Emergency Response – Përgjigje Emergjente për Kulturën).

Puna ka nisur me pastrimin e objektit nga mbetjet e çatisë së demtuar dhe përzgjedhjen e materialeve që mund të ripërdoren në Banesën Hadëri, nje monument i kategorisë së dytë në qendrën historike të Gjirokastrës. Brenda pak ditëve, punë të ngjashme do të nisin edhe në monumentin Banesa Gurgai.

Heqja e rrasave të gurit nga çatia

Heqja e rrasave të gurit nga çatia

Monumenti Hadëri përballet me shembjen e plotë të çatisë dhe shembjen e pjesshme të mureve, si pasojë e mungesës totale të mirëmbajtjes. Banorët u detyruan ta braktisnin objektin para disa vitesh, duke e lënë atë të pambrojtur ndaj rreziqeve të shumta. Një zjarr në prill 2012 rezultoi në djegien e plotë të çatisë dhe të dyshemeve e tavaneve origjinale prej druri . Disa rrënime të pjesshme të anës perëndimore ndodhen në qershor 2013 dhe janar 2014 duke çuar në një vendim të Komitetit të Emergjencave për të prishur një pjesë të  anës perëndimore. Argumenti i përdorur nga komisioni në marrjen e këtij vendimi ishte rreziku që fasada perëndimore përbënte për banorët e zonës dhe kalimtarët.

Ky projekt i CHwB-së dhe Prince Claus synon të parandalojë dëmtimin e mëtejshëm të monumentit me anë të ndërhyrjeve konsoliduese e përforcuese, që do të përfshijnë stabilizimin e mureve të gurta, përforcimin e qemereve, riparime të strukturës dhe një ndërhyrje të pjesshme në strutkurën e çatisë.

Ky është projekti i parë i kësaj natyre në zonën historike të Gjirokastrës. Synimi i tij është që të konsolidohen disa objekte në gjendje rrënoje, duke i përdorur këto punime për të rritur ndërgjegjësimin për numrin e madh të monumenteve në këtë gjendje në qytetin e Gjirokastrës dhe nevojës emergjente për ndërhyrje përforcuese në to.

Faza përfundimtare e këtij projekti do të përfshijë vendosjen e një imazhi të printuar të fasadës origjinale të monumentit në skelerinë përreth objektit, që do t’i kthejë përkohësisht monumentit Haderi identitetin pamor.

Lajmet e fundit