
Gjetë Gjoni, banor i fshatit Kodër-Spaç, prezanton deklaratat e vizionimit të formuluara nga grupi i tij
Pas punëtorisë së parë në rrethin e Mirditës, Shkodra ishte vendi pritës i takimit të dytë (30 tetor – 1 nëntor) në kuadër të Dialogjeve për Spaçit. Së pari, për të pasur mundësinë e vizitës në një nga shembujt e sotëm të muzealizimit të një vendi të vuajtjes komuniste. Dhe së dyti, në një rrafsh më simbolik, për të theksuar se Spaçi, dhe më gjerë fati i vendeve të persekutimit komunist, janë një çështje me rëndësi kombëtare.
Ndërsa punëtoria e parë ishte e fokusuar në krijimin/forcimin e një bagazhi njohurish për Spaçin dhe njohjen me problematikat e tij kryesore, punëtoria e dytë kishte për qëllim vënien në lëvizje të gjithë njohurive të krijuara, informacioneve të sjella në tryezë nga palët e ndryshme, si dhe përvojat dhe pritshmëritë e pjesëmarrësve, në shërbim të:
- Identifikimit dhe vënies në pah të vlerave të Spaçit
- Konvergjimit drejt një vizioni të përbashkët për Spaçin në të ardhmen
- Njohjes me kontekstin operacional të muzeve në Shqipëri dhe më gjerë
- Përcaktimit të objektivave të qartë dhe të arritshëm në rrugën drejt muzealizimit të ish-burgut.
Metodologjia e përdorur ishte ajo e bashkëbisedimit me grupin e pjesëmarrësve, të ritmuar nga prezantime të shkurtra, sesione të punës në grup, prezantime nga vetë pjesëmarrësit, si dhe vizita të shëmbujve konkretë.
Eksplorimi i disa pikave kulturore dhe natyrore, në Shkodër dhe zonën përreth, dhe disa me interes për temën e punëtorisë, shoqëruar nga banorë njohës të mirë të zonës, ishte aktiviteti i fundit i punëtorisë.
Hapi i rradhës do të jetë punëtoria e tretë dhe e fundit, gjatë së cilës do të përpilohet nga grupi i pjesëmarrësve një plan i detajuar veprimi duke u bazuar tek objektivat e përcaktuar gjatë punëtorisë së dytë.
Për të lexuar raportin final të punëtorisë së dytë me informacion të imtësishëm mbi përmbajtjen dhe rezultatet e punëtorisë, klikoni këtu.
Ky projekt zbatohet nga CHwB dhe mbështetet nga Suedia dhe Koalicioni Ndërkombëtar i Vendeve të Ndërgjegjes
Për më tepër informacion rreth projektit mund të ndiqni dhe blogun e krijuar enkas për të, http://spacdialog.org/