Në kuadër të projektit “Platformat e Fuqizimit dhe të Mësimit përmes Trashëgimisë Kulturore” u zhvillua cikli i dytë i punëtorive në secilën nga bashkitë e Kavajës, Krujës dhe Rrogozhinës.
Punëtoria e Krujës u zhvillua në 6 dhjetor 2022.
Punëtoria e Rrogozhinës u zhvillua në 7 dhjetor 2022.
Punëtoria e Kavajës u zhvillua në 14 dhjetor 2022.
Tematika e kësaj serie punëtorish ishte “Edukimi mbi dhe përmes Trashëgimisë Kulturore”. Qëllimi ishte trajnimi aktorëve lokalë mbi edukimin përmes trashëgimisë kulturore, shkëmbimi i njohurive dhe përvojave si dhe nxitja për më shumë bashkëpunim mes tyre.
Pjesmarrësit ishin të fushave të ndryshme dhe përfaqësonin institucione të ndryshme si Bashkitë, shkollat, Qendrat Kombëtare të Fëmijëve etj. Duke marrë parasysh tematikën e punëtorisë, jemi të lumtur që na u bashkuan përfaqësues nga institucionet arsimore; shkollat (në Kavajë dhe në Krujë) dhe Zyra Vendore Arsimore (në Rrogozhinë).
Në këtë seri punëtorish, ekipi i CHwB Albania ftoi Antigoni Gjergjin, eksperte e edukimit përmes trashëgimisë. Ekspertiza e saj mbi këtë fushë të rëndësishme, si dhe përvojat që ajo bashkëndau gjatë trajnimit , nxitën kureshtjen e pjesmarrësve dhe prodhuan një atmosferë të këndshme e frymëzuese gjatë punëtorive.
Përgjatë sesioneve trajnuese u prekën disa aspekte teorike: u trajtua koncepti i trashëgimisë dhe historiku i tij, kuptimi bashkëkohor i trashëgimisë dhe lidhja e trashëgimisë me edukimin. Vëmendje e veçantë iu kushtua konceptit të trashëgimisë si një nga shtyllat e zhvillimit të qendrueshëm. Gjithashtu, Gjergji ndau përvojat e saj në organizimin e eventeve publike në qytetin e Durrësit, çka ngjalli interes te pjesëmarrësit, të cilët, në sesionin vijues të punës në grup, hodhën ide për zhvillimin e aktiviteteve të ngjashme pranë aseteve kulturore lokale. Punëtoritë u përmbyllën me një sesion pune në grup, gjatë të cilit aktorët lokalë të pranishëm dhanë rekomandime dhe ide që do të përfshihen në strukturën ekzistuese për krijimin e 4 modeleve edukative të siteve të Muzeut Etnografik të Kavajës, Muzeut Etnografik të Krujës, Urës së Kurçajt (Krujë) dhe kalasë së Bashtovës.
Falenderojmë pjesmarrësit për kontributin e tyre në të tria punëtoritë; përkushtimi dhe angazhimi i tyre ka qenë mjaft me vlerë. Po aq të rëdësishme kanë qenë sensi i bashkëpunimit në Kavajë, cilësisa e diskutimeve në Krujë dhe entuziazmi e mikpritja në Rrogozhinë.
Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë me palët lokale të interesit në ciklin e tretë të punëtorive dhe përgjatë gjithë kohëzgjatjes së projektit.
Projekti “Platformat e Fuqizimit dhe të Mësimit përmes Trashëgimisë Kulturore” është projekt i financuar nga Bashkimi Evropian, në kuadër të programit EU4Culture të zbatuar nga UNOPS dhe në koordinim me Ministrinë e Kulturës.