Sa herë që e pyesim mjeshtër tonë Spiro Bezhani të na rrëfejë gjësendi për pjesëmarrësit e Kampeve Rajonale të Restaurimit ai përherë gjegjet: “Ishin të gjithë të shkëlqyer; janë sa të talentuar dhe të zgjuar”. Sepse fjala gdhend edhe gurin. Si ustai i saj. Pastaj mjeshtri zakonisht e mbyll me togfjalëshin se “të mësojë të rinjtë dhe t’ua përcjellë atyre mjeshtërinë nuk është një punë për të, por diçka për të cilën ndihet krenar”. Spiron e lumturon shumë të shohë profesionistët e rinj tek shfaqin interes për të mësuar për gdhendjen e gurit, ndërtimtarinë dhe përzierjen e llaçit.
Në fund të ditës, pas një rropame shumë-orëshe, ai heq cigaren nga goja dhe thotë: “Po nuk bëra asgjë moj çupë”, ndërkohë që nuk është i vetëdijshëm për punën kolosale që zhvillon.
Spiro Bezhani, duke sfiduar moshën, vazhdon sot e kësaj dite punën e tij me gurin plot pasion. Janë të moshuarit si Spiro, që me dijen dhe aftësitë e tyre, ua përçojnë trashëgiminë kulturore, të prekshme dhe të paprekshme, brezave të rinj.
Faleminderit mjeshtër!
Ky është Lan Bajrami. Ai lë Gjakovën ku ka bashkëshorten dhe dy fëmijët për të ardhur në Gjirokastër, të cilën e konsideron si shtëpi të dytë. Duart e Lanit kanë gdhendur në detaj dyer, karroca, tezgjahe të thurjes së velenxave, orendi shtëpiake, etj.
Pasi punoi për 13 vjet si zdrukthatar, në 2008-ën Lani u njoh me Kampet Rajonale të Restaurimit dhe që asokohe nuk u është ndarë më. Një ndër punët për të cilën ndihet krenar është restaurimi i Shtëpisë Babameto, monument kulture i kategorisë së parë. Të gjitha dyert dhe dritaret janë bërë me duart e mjeshtrit tonë.
“E vlerësoj çka po bën Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri. Sa për mua, puna me dru është e vështirë, kërkon sakrifica. Por e kam pasion të ruaj të vjetrën”, shprehet ai.
Lani pëlqen perfeksionin. Kur e pyesim nëse në punën e tij ka ndonjë pakënaqësi, qoftë edhe të vogël, na kthehet: “Humbja e kohës është problemi ynë”.
Kur e takon Fadil Krasniqin shquan dashurinë e tij për profesionin të stampuar në fytyrë. Fadili ka punuar që nga viti 2004 me Trashëgiminë Kulturore pa Kufij. Kur e pyesim ç’bën na thotë pa modesti: “Kam punuar në restaurimin e kishave dhe xhamive në Kosovë. E kam torbën plot (profesionalisht)”.
Kur e ftojmë të na rrëfejë ndonjë histori tërheqëse nga puna e tij përshkruan komunikimin me një restaurator italian në Kosovën e pasluftës.
“Më pyeti restauratori: çfarë pune bën këtu? Dru, Suva, të gjitha, ia ktheva”, na rrëfen ai duke imituar me mimikë fytyrën e habitur të mikut italian.
Për njerëzit si Fadili shpërblimi i punës është i paktë, pasioni shumë i madh.
Bledar Lika është i heshtur si gur, se me gurin punon.
Por Bledi dikur ka punuar edhe me dru sepse sipas tij për të qenë mjeshtër i plotësuar duhet t’i zotërosh të gjitha mjeshtëritë.
“Sot parapëlqej të bëj çati”, na thotë. Ndërsa ngacmimit tonë në mos i pëlqen ta bëjë këtë për arsye se pagesa është më e mire, i përgjigjet prerazi se “kam namin e mirë dhe jam shumë i kënaqur në këtë drejtim”.
Bledi është një nga mjeshtrat e Trashëgimisë Kulturore pa Kufij – Shqipëri. Ai punon me studentët dhe për studentët. Siç shprehen vetë ata: Bledi mund të bëjë mrekullira vetëm me një çekiç e një sqepar.
Bashkim Loloçi është usta guri. Na tregon se zanatin e urtësinë i ka “vjedhur” nga ati i tij. Plot krenari ai e cilëson atë si një nga mjeshtërat më të mirë të Gjirokastrës. Në fakt, këtë e pohojnë të gjithë, pasi Loloçët njihen si qytetas denbabaden.
Si shumë shqiptarë të tjerë, pasi shpërfaqi mjeshtërinë e tij në vende të ndryshe të Greqisë, Bashkimi u kthye në vendlindje.
“Kam punuar që në vegjëli në Greqi. Në fillim ishte dëshira. Tani erdhi koha të ndërtoj në vendin tim”, shprehet ai.
Bashkim Loloçi është një ndër mjeshtërat që Trashëgimia Kulturore pa Kufij është krenare që i ka në gjirin e saj.
Besfort Axhanela nga Kosova është një nga mjeshtrat më të përfshirë në Kampet Rajonale të Restaurimit organizuar nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij.
Edhe pse i ri në moshë – Besforti është vetëm 32 vjeç – ai ka një përvojë të madhe me punët konservuese, qoftë në lëmin e trashëgimisë së paluajtshme qoftë në atë të trashëgimisë së luajtshme.
Besforti është i apasionuar pas Gjirokastrës, të cilën e konsideron si shtëpinë e tij të dytë.
Budiša Sekulić and Mile Bojović janë ndër mjeshtrat e fundit serbe që ende e njohin mjeshtërinë e restaurimit të çative me elemente druri. Ata janë të dy nga Zlatibori, një rajon malor në Serbinë perëndimore.
Budiša ka punuar për më shumë se 20 vjet në Muzeun e Hapur të Sirogojnos. Ai i “maskon” shumë mirë 78 vitet e tij dhe është ende i përfshirë në mënyrë aktive në projekte të ndryshme të restaurimit.
Mile, i njohur edhe si “Desna Ruka majstora Budiše” (krahu i djathtë i mjeshtër Budišas) në të kaluarën ka punuar edhe në Manastirin e Deçanit. Ai tani është 65 vjeç, por më i saktë dhe më i fortë se kurrë më parë.
Budiša and Mile janë të veçantë. Ne ndjehemi me fat që punojmë me ta për Kampet Rajonale të Restaurimit të organizuar në Serbi.
Zoran Krstić and Slavoljub Nikolić nga fshati Rajac janë ndër mjeshtrat e rrallë ende aktivë të Negotinska Krajina që vijonin të shprehnin interes për të mësuar ndërtimtarinë tradicionale si dhe principet e përgjithshme të restaurimit.
Në e filluam bashkëpunimin më ta në vitin 2011 gjatë restaurimit të një çatie në bodrumet e verës në Rajac (Rajačke pivnice). Në shpresojmë që do të vazhdojmë këtë bashkëpunim në projektet e ardhshme në Negotin.
Zoran Krstić është 60 vjeç. Ka punuar si zdrukthëtar për një kompani ndërtimi, përfshirë më së shumti në ndërtimin e godinave bashkohore. Sidoqoftë, pas kolapsit që përjetoi tregu i ndërtimeve në Serbi në vitet ’90, ai humbi punën pasi si shumë mjeshtra të tjerë punonte për kompanitë shtetërore të ndërtimit. Zorani filloi të punonte si i pavarur ose me ish-kolegë, dhe ne ramë në kontakt me të gjatë njërit prej këtyre projekteve.
Zorani është gazmor, optimist dhe një “lojtar” i vërtetë skuadre. Aftësia e tij për të lëvizur kur punon në strukturat e çative është e lavdërueshme.
Slavoljub Nikolić sapo ka rrumbullakosur të 55-tat dhe mund të thuhet se është krahu i djathtë i Zoranit. Ata kanë punuar së toku në shumë ndërtime në Rajac dhe kanë një ndarje të natyrshme detyrash kur punojnë. Sidoqoftë, kur me ta bashkohen mjeshtra të tjerë, Slavoljubi shpeshherë merr detyrën më të vështirë për të mbrojtur pjesëtarët e tjerë të skuadrës.