CHwb organizoi sot në Krujë, një tjetër seancë me aktivitete praktike të lidhura me trashëgiminë, aktivitete të ideuara në kuadër të koleksionit E Ka Kush e Ka. A ka vallë ditë më të përshtatshme se sot më 2 prill, në datën e lindjes së Hans Kristian Andersen, për të ngjallur pasionin për leximin dhe për të bërë thirrje për më shumë vëmendje për librat për fëmijë?
Atelieja e trashëgimisë për fëmijë që organizuam sot në Krujë, është dhe e dyta për këtë vit. Hamami ishte përsëri objekti i trashëgimisë kulturore rreth së cilit u konceptua dhe u zhvillua aktiviteti. Sot kishim 29 miq të vegjël të pranishëm, që të gjithë që vinin nga Kopshti publik nr.1 dhe që i përkisnin moshës 5 deri në 6 vjeç. Bashkë me edukatoret dhe më disa zyrtarë të bashkisë, fëmijët vizituan hamamin që tani është duke u restauruar dhe i cili ndodhet në një nga pjesët më të bukura të kalasë së Krujës.
Nuk është për tu çuditur që fëmijët që tani dinin shumë gjëra për historinë e qytetit, për Skënderbeun, heroin tonë kombëtar, për kalanë që ai mbajti të papushtuar për dhjetra vite, por edhe për muzeun. Nga ana tjetër për ta ishte një përvojë e këndshme të endeshin në zonat e banuara të Kalasë, duke çarë përpara në të ngushtat rrugë të gurta e duke përshëndetur banorët vendas pak të habitur nga kjo vizitë. Por patjetër që fëmijët e e gjetën shpejt rrugën drejt kantierit të restaurimit, ku të parët që i pritën ishin punëtorët. Vetë hamami me ato format e tij të çuditshme ishte një zbulim për fëmijët të cilët – falë dhe shpjegimeve të arkitektit përgjegjës për restaurimin – kuptuan shpejt se sa ndryshe nga sot bënin banjë të parët e tyre.
Fare pranë hamamit, fëmijët zbuluan një pemë masive ulliri dhe mësuan që sipas një legjende, ajo është mbjellë nga vetë Skënderbeu! Ndërsa ngjitur me të, ata mundën të vizitonin dhe teqen e vjetër dhe krenare me pikturat e mrekullueshme florale brenda saj. Më pas, duke qëndruar në një nga pikat më të mira soditëse nga kalaja, të vegjël e të mëdhenj folën dhe për pazarin e vjetër, perlën tjetër të qytetit.
Në kopshtin nr. 1 u zhvillua aktiviteti i fundit për atelienë e sotshme. Fëmijët dhe edukatoret lexuan së bashku dhe ngjyrosën libërthat mbi hamamin, për moshat nga 3 deri në 6 vjeç, pjesë e koleksionit E Ka Kush e Ka. Një konkurs ngjyrosjeje u organizua gjithashtu mes “ketrushëve” dhe “lepurushëve” që përfundoi në barazim dhe me buzëqeshje për të gjithë.
Kjo ishte mbyllja perfekte e një dite emocionuese qoftë për fëmijët e kopshtit, qoftë për ne në CHwB. Shprehim mirënjohjen tonë të madhe për stafin e kopshtit dhe zyrtarët e bashkisë që na mundësuan të kontribuojmë, në këtë ditë të veçantë, për rritjen e ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e librit për fëmijë dhe të edukimit përmes tij dhe kulturës, që në moshë të mitur.