Nis Trajnimi Ndërkombëtar për Shpëtimin e Trashëgimisë Kulturore në Rrezik

28 profesionistë të rinj të muzeve dhe trashëgimisë nga Shqipëria, Bosnje dhe Hercegovina, Bjellorusia, Egjipti, Gjeorgjia, Irani, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Turqia, po marrin pjesë në një trajnim tri-javor mbi ruajtjen dhe shpëtimin e koleksioneve muzeale, siteve të trashëgimisë dhe trashëgimisë shpirtërore në situata katastrofe.

“Trajnimi Ndërkombëtar Mbi Menaxhimin e Rrezikut për Trashëgiminë Kulturore në Rast Katastrofe” organizohet nga tri zyrat e organizatës “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë.

Puna ka filluar në Sarajevë, në Muzeun Kombëtar të Bosnje-Hercegovinës, ku do të mbahet java e parë e trajnimit nga data 7 deri më 12 nëntor. Trajnimi vazhdon në Prishtinë (datat 13-20 nëntor), dhe java e tretë dhe përmbyllëse do të mbahet në Gjirokastër në datat 21 nëntor – 27 nëntor.

Programi gërsheton ligjërata nga lektorë rajonalë dhe ndërkombëtarë me ushtrimet praktike të hartuara në mënyrë që të reflektojnë situata katastrofash për të testuar dijet e pjesëmarrësve. Qëllimi i trajnimit është që profesionistët e trashëgimisë të mësojnë aftësi praktike për mbrojtjen dhe shpëtimin e koleksioneve muzeale, siteve të trashëgimisë dhe të trashëgimisë shpirtërore para, gjatë dhe pas një katastrofe.

Në javën e parë të trajnimit, pjesëmarrësit do të studiojnë mënyra të ndryshme dhe strategji për ruajtjen e trashëgimisë dhe koleksioneve muzeale, identifikimin e rreziqeve të shkëtërrimit të trashëgimisë, mësojnë mbi ndihmën e parë për të shpëtuar artefaktet dhe marrin pjesë në simulime praktike.

Trajnimi organizohet nëpërmjet projektit rajonal “Ndihma e Parë për Kulturën në Ballkan” (B+CARE), një platformë e themeluar në mars të vitit 2016 për të frymëzuar, trajnuar dhe koordinuar vullnetarë për përgatitjen dhe ndihmën në emergjencat kulturore.

Ky trajnim është financuar nga Prince Clause Fund dhe Qeveria e Suedisë.

 

Lajmet e fundit