Në Tiranë më 12 Dhjetor, Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri (CHwB Shqipëri), Instituti i Monumenteve të Kulturës; Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Gjirokastër, Berat dhe Korçë; Drejtoritë Rajonale të të Formimit Profesional Publik në Gjirokastër dhe Korçë, si dhe Shkolla e Mesme Profesionale “Stiliano Bandilli”, Berat, organizuan një ceremoni për të nënshkruar një Momorandum Mirëkuptimi.
Memorandumi afirmoi zotimin e palëve për të çelur programin “Aftësi për Punësimin e së Nesërmes”, i cili i hap rrugë zbatimit të kursit profesional 6-mujor “Teknikat Tradicionale në Ndërtim”. Me mbështetjen teknike nga ekspertë vendas dhe të huaj, kursi do të ofrojë çertifikim të mjeshtrave me përvojë (ish-punonjës të Atelie-ve) si dhe kalimin e njohurive të tyre te praktikantët e rinj. Programi synon rritjen e mundësisë së punësimit të personave të çertifikuar nëpërmjet këtij programi dhe përmirësimin e ndërhyrjeve në ndërtime të trashëgimisë kulturore sipas kritereve të përcaktuara në legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar për trashëgiminë kulturore.
Drejtoresha Ekzekutive e CHwB Albania, Lejla Hadžić, mirëpriti mundësinë për të përfunduar këtë Memorandum me Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe partnerët e tjerë, dhe njohu rolin e rëndësishëm që ky trajnim mund të japë për zhvillimin e një kurrikule kombëtare në fushën e konservimit dhe restaurimit sipas standardeve europiane; zhvillimin dhe zbatimin e vazhdueshëm të trajnimeve profesionale të certifikuara në zejet historike; krijimin e kushteve për punësimin e vazhdueshëm të mjeshtrave të certifikuar; rritjen e qasjes në trajnimet/punësimin në këtë fushë dhe përmirësimin e cilësisë së restaurimeve në Shqipëri.
“Po nisim modulet intensive që do të zgjasin 26 muaj në tre qytete historike të Shqipërisë: Gjirokastër, Berat dhe Korçë. Qëllimi është që të kemi 60 mjeshtra me përvojë të certifikuar, teksa bashkë me ta të kemi edhe 100 çirakë të aftësuar për ndërhyrje në ndërtime të trashëgimisë kulturore. Kjo i lejon Ministrisë së Kulturës të vazhdojë betejën e saj për rregullimin e profesionit, për të patur rezultat në punësimin e mjeshtrave të certifikuar në kompanitë e restaurimit. Kjo do të na mundësojmë krijimin e vendeve të punësimit për ta e të tjerë. Së fundmi, kjo na çon drejt një restaurimi cilësor dhe një shfrytëzimi më të mirë të trashëgimisë për zhvillimin vendor”, deklaroi zj. Hadžić.
Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës, shprehu kënaqësinë e saj për nënshkrimin e këtij Memorandumi. Ajo falenderoi partnerët për financimin e projektit dhe për besimin që ata kanë shfaqur në të. Zj. Kumbaro tha se, së bashku me donatorët dhe partnerët, duhet të bashkojnë forcat për të rujtur dijen për trashëgiminë kulturore. “E konsideroj shumë të rëndësishëm këtë projekt, i cili nuk është i pari i këtij lloji në bashkëpunimin me CHwB Shqipëri. Në këto tre vjet, mbi të gjitha kemi gjetur te kjo organizatë një aksioniste të terrenit. Modelet e CHwB janë të rëndësishme sepse çelin udhën për t’u ndjekur edhe nga aktorë të tjerë në Berat e Gjirokastër “, u shpreh Ministre Kumbaro.
Albin Gega, Drejtor i Politikave të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve, në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, tha se MMSR shpreson që të ketë sa më shumë nisma të tilla për t’i mbështetur. Duke sjellë në vëmendje ligjin e ri të zejeve, ai theksoi të mirat që sjell ky ligj, i cili mbron çdo prodhim shqiptar brenda zonave të trashëgimisë kulturore, duke qenë një shtysë për personat që ushtrojnë këtë zanat pasi vendos në mënyrë të saktë dhe të qartë çmimet e tregut.
Ambasadori i Suedisë në Shqipëri, SH.T Johan Ndisi, u shpreh i lumtur që partnerët dhe donatorët kanë hedhur themelet për një bashkëpunim të suksesshëm që synon përmirësimin e potencialit dhe kapaciteteve të burimeve njerëzore në trashëgiminë kulturore. “Është e rëndësishme që ky program u përgjigjet nevojave specifike. Duke pasur parasysh objektivat dhe vlerat e tij, me kurrukulën europiane, do të përmirësojë cilësinë e restaurimeve në Shqipëri. Trashëgimia është një aset për zhvillimin e turizmit në vend”, deklaroi z. Ndisi.
Për Anke Holstein, zëvendës-Ambasadore e Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, ky Memorandumështë shembull i një kombimini perfekt. “Jam e lumtur që në këtë kombinim kemi të rinjtë dhe trashëgiminë. Me këtë nënshkrim rinia ka një model për të ëndërruar dhe ndërtuar të ardhmen e tyre në këtë vend”, theksoi ajo.
Programi “Aftësi për Punësimin e së Nesërmes” do të zbatohet përmes dy moduleve intensive 6-mujore në qytetet e Gjirokastrës, Beratit dhe Korçës. Trajnimi është i ndarë në tri pjesë (teori, teori dhe praktikë, praktikë). Të dyja modulet do të zbatohen gjatë periudhës 2016-2017 dhe do të jenë projekti i parë pilot i këtij lloji në Shqipëri.
“Aftësi për Punësimin e së Nesërmes” financohet nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) dhe Qeveria Suedeze.