“Brenda 10 viteve të fundit, në shumicën e vendeve në Evropë, ka pasur një ndërrim paradigme, qasjeje dhe praktikash të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, me qëllim një përdorim më të qëndrueshëm dhe afatgjatë të pasurive të trashëgimisë kulturore. Ky ndryshim kërkon tashmë që vendet e trashëgimisë kulturore të shihen jo vetëm si një vlerë kulturore për tu mbrojtur, por edhe si një pasuri e përbashkët publike, e cila, nëse rehabilitohet, përdoret dhe administrohet siç duhet, mund të gjenerojë kapital shtesë kulturor, shoqëror, njerëzor dhe ekonomik.”
– Vishnja Kisiç, Europa Nostra Serbia, ekstrakt nga Dokumenti i organizimit dhe metodologjisë për 7 plane menaxhimi në Ballkanin Perëndimor.
Projekti për hartimin e Planeve të menaxhimit në 7 Shtete të Ballkanit Perëndimor mbështetet tërësisht mbi këtë koncept kuptimplotë.
Projekti, i nisur në korrik, është tashmë në zhvillim e sipër – punëtoritë e para me palët kyçe të interesit janë mbajtur në të gjitha vendet. Idetë e para për vizionet e prioritetet e mundshme të menaxhimit janë skicuar dhe do të çojnë drejt planeve të menaxhimit kuptimplotë dhe realistë. Aspekti më i rëndësishëm i këtij projekti është që çdo ekip në çdo vend është i përbërë nga ekspertë vendorë, të cilët po kontribuojnë drejt një procesi të hapur dhe me pjesëmarrje të gjerë. Qëllimi ynë është që këto plane të pranohen dhe të përvetësohen nga ata që do ti përdorin më shumë – specialistët që punojnë në vendet në fjalë dhe zyrtarët që marrin vendime në lidhje me to.
Edhe pse afati kohor i projektit është tepër i shkurtër, të 7 ekipet janë duke punuar intensivisht dhe paralelisht. Kjo nismë është pjesë e një programi të përgjithshëm për rehabilitimin e 7 vendeve të trashëgimisë kulturore në 7 shtete të Evropës Juglindore në kuadrin e Procesit të Lubjanës II: Rehabilitimi i Trashëgimisë Sonë të Përbashkët, një program i përbashkët i Këshillit të Evropës dhe Komisionit Evropian.