Gjatë vitit 2017 CHwB Albania me mbështetjen e Qeverisë Suedeze zbatoi një seri ndërhyrjesh emergjente në ish Burgun e Spaçit. Këto ndërhyrje ishin një domosdoshmëri pas më shumë se 20 vjet braktisje, degradim dhe dëmtime të vazhdueshme të godinave dhe pejzazhit të vendit.
Kjo punë e bërë kishte qëllime disa-planëshe:ruajtjen e godinave si dëshmi e rëndësishme e vendit;rritjen e sigurisë për vizitorët; krijimin e një ideje më të qartë për funksionimin e rrënojave përmes pastrimeve të kujdeshme duke ndihmuar kështu punën interpretuese në të ardhmen; dhe shërbente gjithashtu si një thirrje për rritjen e vëmendjes ndaj ish Burgut të Spaçit si një vend që duhet mbrojtur në të ardhmen si domosdoshmëri për edukimin e brezave.
Ndërhyrjet konkrete që u zbatuan gjatë kësaj pune ishin:
- Pastrimi dhe hidroizolimi i plotë i tarracave.
Hidroizolimi i tarracave ishte i dëmtuar dhe jashtë funksionit te të 9 godinat që qëndrojnë akoma në këmbë, dhe infiltrimi i ujit ishte një nga faktorët kryesorë të demtimit të strukturave. Heqja e kujdesshme e shtresave të vjetra, pastrimi dhe vendosja e shtresave të reja hidroizoluese ishte një domosdoshmëri.
- Stabilizim i strukturave të dëmtuara.
Disa nga ndërtesat e ish Burgut paraqesin probleme serioze strukturore, për këtë ishte e rëndësishme që të sigurohej qëndrueshmëria e tyre, duke i bërë në të njëjtën kohë më të sigurta për vizitorët e ndyshëm që vizitojnë vendin vazhdimisht. Për këtë u krijuan mbështetje në formë skelerie, të cilat përveç funksionit statik nuk dëmtojnë dëshmitë e ndryshme të lëna nga të ish të burgosurit në faqet e dhomave, apo parrullat e regjimit të pikturuara në pjesë të ndryshme të mureve të godinave. Gjithashtu këto struktura ndihmëse mund të çmontohen lehtësisht në rast se shfaqet në të ardhmen nevoja të ndërhyet në një mënyrë tjetër.
- Pastrim i kujdesshëm dhe sistemim i rrënojave.
Një pjesë e madhe e godinave të Ish Burgut janë rrënuar krejtësisht. Kjo, në mungesë edhe të të dhënave arkivore për mënyrën e funksionimit të vendit, bën që për vizitorët apo studiuesit të jetë e vështirë të kuptojnë qartësisht këtë vend. Për këtë arsye një pjesë e rrënojave u pastruan me kujdes manualisht, dhe një pjesë e mbetjeve të këtyre strukturave u sistemuan në vend në mënyrë që të kuptohet sa më shumë nga funksionimi i tyre i mëparshëm.
Pastrimi dhe hidroizolimi i plotë i tarracave të ndërtesave për të mbrojtur strukturat.
Pastrim i kujdesshëm dhe sistemim i rrënojave për të kuptuar më mirë vendin.
Stabilizim i strukturave të dëmtuara te menca (sipër) dhe fjetoreve të të burgosurve (poshtë).