Me rastin e 29 Shtatorit, Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, CHwB Albania, së bashku me Bashkinë e Beratit dhe Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare – Berat organizoi një Atelie të Trashëgimisë në ambjentet e Galerisë “Edward Lear”. 15 fëmijë nga dy shkolla 9-vjeçare të qytetit muze u argëtuan dhe mësuan për shtëpitë dhe veshjet shqiptare, ndër manifestimet në të fuqishme të kulturës sonë kombëtare.
Aktiviteti zgjati 90 minuta dhe fëmijët, të ndarë në dy grupe, punuan me modelin e letrës së shtëpisë Babameto dhe me libërthin e Xhubletës. Dëshira dhe interesi i fëmijëve reflektohej si ne përfundimin e formimit të shtëpisë Babameto, në eksplorimin e kostumeve tradicionale, por edhe në dëshirën e bashkëbisedimit rreth tyre.
Për Elenin, 8 vjeçe, aktiviteti ishte shumë i bukur, por kishte një kërkesë. “Mua me pëlqeu shume aktiviteti , por a mund të kem një libër tjetër të xhubletës që t’a punoj sëbashku me motrën time më të vogël?”. Prindërit nga ana tjetër shprehën kënaqësinë për pjesëmarrjen e fëmijëve të tyre në këtë aktivitet edukativ si dhe u interesuan për aktivitetit e radhës të CHwB Albania.
Po në kuadër të Ditës Kombëtare të Trashëgimisë, në partneritet me Drejtorinë Arsimore Rajonale të Qytetit të gurtë dhe Shkollën 9-vjeçare “Urani Rumbo”, CHwB Albania organizoi në qytetin e Gjirokastrës “ Ditën e Mjeshtrave të Vegjël.”
Aktivitieti u krye në vendet e punës të Kampi i 31-të Rajonal i Restaurimit, përkatësisht në ambientin e lulishten e shtëpisë Babaramo si dhe banesën Toro, ku fëmijët pajisur me helmeta, doreza dhe syze iu bashkangjitën grupit të pjesëmarrësve të Kampit . Dea e vogël mbeti e mahnitur nga aktiviteti. “Mua me pëlqeu shume aktiviteti, por do doja të zgjaste më shumë apo të ishte dhe një ditë tjetër”. Ndërsa Sandri, sapo i shkeli këmba në shkollë, iu drejtua mësueses: “Mësuese ishim në një aktivitet super, bëmë llaç me gëlqere dhe lesh dhie”.
Aktiviteti u bazua në shpjegim teorik dhe punë praktike. Pjesëmarrësit e kampit së bashku me mjeshtrat u shpjeguan fëmijëve punën, materialet tradicionale të përdorura për suvanë e banesës Babaramo si dhe drurin tek banesa Toro. Pas shpjegimit, bash si mjeshtra të vegjël, nxënësit kryen pune të vogla praktike. Mësimi interaktiv bën që këta nxënës jo vetëm të njihen më trashëgiminë kulturore, por dhe të zhvillojnë njohuritë rreth praktikës së restaurimeve në shtëpitë muze.