Kremtojmë Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore me Atelie të Trashëgimisë

IMG_0196

29 Shtatori është Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore. Dita kur të gjithë ne përulemi me respekt para kontributit të restauratorëve, arkitektëve, studiuesve dhe shkencëtarëve, bartësve të folklorit dhe artizanëve, të cilët kanë kontribuar në formimin dhe studimin e e kësaj trashëgimie për t’ua përcjellë brezave si dëshmi e identitetit tonë kulturor.

IMG_0074Për të kremtuar këtë ditë të shënuar Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri (CHwB Albania), organizoi një Atelie të Trashëgimisë me fëmijë të moshës 4-6 vjeç. Fëmijët e Kopshtit Nr. 1 në qytetin e Krujës patën kënaqësinë të zbulojnë një ndërtesë paksa të çuditshme për ta. Pavarësisht se pa dritare, me çati të rrumbullakët, me musllukë ndryshe ata u surprizuan nga Hamami. Para do muajsh një grup fëmijësh të tjerë kishin vizituar këtë monument në restaurim e sipër, ndërsa tani bashkëmoshatarë të tyre e vizituan atë të përfunduar.

Fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij- Shqipëri  beson se trashëgimia kulturore nuk është vetëm çështje debatesh profesionale të rezervuara për moshën madhore. Trashëgimia kulturore ka qenë dhe është vektor zbulimi i botës që na rrethon, dhe si e tillë një mjet i përshtatshëm pedagogjik për punën me fëmijë.

IMG_0135

Përfshirja aktive e fëmijëve ndikon në kuptimin e trashëgimisë, e si rrjedhojë forcimin e ndërgjegjësimit dhe ndjenjës së përkujdesjes ndaj saj. Ky proces është edhe më rezultativ tek fëmijët falë koleksionit “E Ka Kush e Ka”. Më një seri libërthash e modelin e letrës së Shtëpisë Babameto, Fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij synon që të formësojë vegjëlinë e sotme që të jenë të rriturit e përgjegjshëm të së nesërmes për mbrojtjen dhe promovimin e Trashëgimisë Kulturore.

IMG_0216

Ne mendojmë dhe shpresojmë që nisma të tilla të zgjojnë interesin jo vetëm të fëmijëve, por edhe të mësuesve dhe prindërve në mënyrë që ata t’i njohin më mirë monumentet e kulturës, prekin këto monumente dhe të kujdesen për to. Vetëm me anë të edukimit do të kemi një brez të ndërgjegjësuar, dhe pse jo nga këta fëmijë të kemi arkitektë, restauratorë, historianë të ardhshëm.

Në një tjetër aktivitet në këtë ditë kremtimi, përfaqësues të Trashëgimisë Kulturore pa Kufij, morën pjesë në tryezën e rrumbullakët “Gratë për Trashëgiminë Kulturore”, organizuar në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar. Në tryezën ku rrahën mendimet përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizmave qeveritare, ekspertët e CHwB Albania shpjeguan punën që Fondacioni bën me të rinjtë për ndërgjegjësimin e tyre për ruajtjen e vlerave të trashëgimisë sonë kulturore.

Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri, është një nga zërat me të qenësishëm në vend për mbrojtjen, restaurimin dhe rijetëzimin e trashëgimisë kulturore. Përmes projekteve edukative, trajnimeve, por dhe ndërhyrjeve në terren, CHwB Albania, prej vitit 2009 përpiqet që jo vetëm të restaurojë ndërtesa historike, por edhe të thotë fjalën e saj në mbrojtje të të drejtave të njeriut, ripajtimit dhe uljes së varfërisë. Siç e thotë edhe motoja e Fondacionit, “restaurojmë dhe ndërtojmë marrëdhënie”.

Lajmet e fundit