Më 15 korrik qyteti i Gjirokastrës kremtoi 10 vjetorin e përfshirjes në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Për të festuar këtë ngjarje, bashkia e Gjirokastrës organizoi një seri aktivitetesh me komunitetin lokal, organizatat jofitimprurëse që fokusohen te ruajtja e trashëgimisë së Gjirokastrës dhe bizneset lokale. CHwB, aktive në Gjirokastër që nga viti 2006, ishte pjesë e këtyre festimeve, duke zhvilluar një atelier E Ka Kush e Ka për fëmijë dhe një ekspozitë me vizatime të lagjjeve historike.
E Ka Kush e Ka, atelieri i trashëgimisë për fëmijë, u organizua në bashkëpunim me Qendrën Kulturore për Fëmijë të Gjirokastrës te Hosteli Babameto. Aktiviteti u fokusua te ndërtimi i një replike prej letre të Shtëpisë Babameto, një monument i kategorisë së parë, si edhe të mësuarit më shumë për trashëgimin kulturore të Gjirokastrës dhe rëndësinë e ruajtjes së saj.
Ekspozita me vizatimet e pjesëmarrëse ndërvite në Kampet Rajonale të Restaurimit u mbajt te Bashteja e Teqesë dhe paraqiti përshtypjen që Gjirokastra krijon te të apasionuarit pas trashëgimisë kulturore.
Në një ceremoni të veçantë, organizata Trashëgimia Kulturore pa Kufij u nderua me titullin “Mirënjohja e Qytetit” për kontributin e vlefshëm në ruajtjen, rigjallërimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Gjirokastrës. Titulli i nderit ju dorëzua kreut të CHwB Albania, znj. Lejla Hadžić, nga kryetari I Bashkisë Gjirokastër, z. Flamur Bime.
Në fjalën e saj, znj. Hadžić theksoi se titulli “Mirënjohja e Qytetit” për CHwB Albania e vendoste organizatën para një përgjegjësie të madhe në lidhje me punën e saj në Gjirokastër.