Gjirokastra dhe Rogljevo mirëpresin Kampet Rajonale të Restaurimit

12-05-15_21thRRC_DSC_1345-web

Këtë maj, teksa ka hapur dyert për të mirëpritur admiruesit e Festivalit Folklorik, Gjirokastra u vizitua nga të tjerë miq, admirues të trashëgimisë kulturore të këtij qyteti. Kampet Rajonale të Restaurimit, të vlerësuara me çmime prestigjioze nga Bashkimi Europian,  u rikthyen në qytetin e çative të përhimta për edicionin e njëzetenjë, në datat 9-20 maj, 2015. 25 studentë dhe profesionistë të rinj nga Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor u bashkuan në qytetin e gurtë për dy javë trajnim dhe punë intensive mbi konservimin dhe menaxhimin e monumenteve të trashëgimisë kulturore. Paralelisht me këtë grup, një tjetër grup prej 17 profesionistesh ishin pjesë e kampit e Rogljevo-së (Serbi).

Kampet Rajonale të Restaurimit, të organizuar nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij-Shqipëri (CHwB Albania) ofrojnë leksione dhe mundësi praktike mbi mënyrat e restaurimit dhe konservimit, duke përdorur materiale dhe teknika tradicionale.

Në Gjirokastër, pjesëmarrësit u ndanë në katër grupe, ku secili, nën drejtimin e kryemjeshtrave, u fokusua në punë të ndryshme restauruese: zdrukthëtari, muratori, suvatim dhe rilevim.  Monumentet historike ku do të punojnë pjesëmarrësit e Kampeve Rajonale të Restaurimit përfshijnë:

Shtëpia Bakuli (Monument i Kategorisë II)

E ndodhur në një nga pjesët më të bukura të lagjes Varosh, shtëpia është pjesë e një kompleksi të veçantë monumentesh, të përbërë nga shtëpi të bukura dhe një urë e gurtë.  Shtëpia Bakuli gjithashtu ruan një nga mekanizmat origjinal që përdorej për marrjen e ujit nga pusi. Këtu grupi i punës punoi për restaurimin e çatisë së portës së jashtme, si edhe mësuan më shumë mbi punën me dru, përfshi: përdorimi i drurit si material ndërtimi, llojet e ndryshme të lidhjeve dhe kyçeve dhe si të përdorim instrumentet e duhura.

Shtëpia Xhelili (Monument i Kategorisë II)

E ndodhur në lagjen Pazari i Vjetër, kjo ndërtesë është pjesë e shtëpive të para të ndërtuara jashtë kështjellës. Një nga karakteristikat e saj më të veçanta është pusi i ujit, i ndodhur nën qemerin gjysmë-të-hapur të hyrjes. Grupi i punës këtu ndihmoi me ndërtimin e pjesëve munguese të murit rrethues dhe dy qemerët e gurtë të hyrjes, të cilët mbartin vlerë për imazhin karakteristik të të gjithë lagjes. Ajo çka ata morën nga puna këtu është aftësia për gurpunim, përfshi njohjen e gurit dhe karakteristikat e tij, dhe mënyrat tradicionale për ndërtimin e mureve dhe qemerëve të gurtë.

SONY DSC

Shtëpia Kore (Monument i Kategorisë I)

E ndodhur në Palorto, një nga lagjet më të vjetra dhe më të rëndësishme të Gjirokastrës, shtëpia e Koreve ka pësuar disa ndryshime por ende e ruan vlerën karakteristike të një shtëpie tipike gjirokastrite, si kamerien dhe tavanët e drunjtë. Pjesëmarrësit që zgjodhën të punojnë në këtë shtëpi riparuan suvanë e fasadës jugore të shtëpisë, duke mësuar se si të përdorin mjetet e ndryshëm për përgatitjen dhe aplikimin e suvasë dhe teknikat e ndryshme për forcimin e saj.

Shtëpitë e Mikpritjes

Përveç restaurimit të objekteve, Kampet Rajonale të Restaurimit gjithashtu punaun me pronarët e këtyre shtëpive-monumente që duan t’i përdorin ato si një shtëpi mikpritëse. Një grup pjesëmarrësish punuan me disa monumente për të krijuar dokumentacionin e plotë të ndërhyrjeve që nevojiten për të kthyer një, apo dy dhoma, në dhoma mikpritëse për turistët. Kjo iniciativë është pjesë e platformës së Trashëgimisë Kulturore pa Kufij për të ndihmuar komunitetet lokale që të gjejnë te trashëgimia kulturore mundësitë për përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.

Përveç punëve restauruese, pjesëmarrësit në kampin e Gjirokastrës gjithashtu patën mundësi të marrin leksione vizatimi me dorë të lirë dhe valle tradicionale.

11036614_828373380533987_2812903077634933260_n

Kampi Rajonal i Restaurimit që u zhvillua në Serbi është edicioni i njëzetedytë dhe u fokusua te trashëgimia historike e zonës të qilarëve të verës në Rogljevo. Aktualisht, qilarët e verës të Rogljevo-s, Rajac-it dhe Štubik-ut janë të renditur për kandidaturë në Listën eTrashëgimisë Kulturore.  Edhe këtu, pjesëmarrësit u ndanë në grupe, ku secili grup u fokusua në zdrukthtari, ndërtim muri, etj. Objektet ku u kryen ndërhyrjet përfshinë çatitë, ballkonet, kolonat e thadruara dhe gardhet rrethues.

Kampet Rajonale të Restaurimit janë një qasje e CHwB Albania për të zgjuar te banorët e zonave ku ato zhvillohen, dhe publiku i gjerë, vetëdijen për rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe respektimin e origjinalitetit të monumenteve me vlera historike dhe kulturore. Kampet Rajonale gjithashtu bashkojnë profesionistë të rinj nga i gjithë Ballkani, të cilët jo vetëm fitojnë më shumë njohuri për ruajtjen e monumenteve të kulturës, por gjithashtu krijojnë lidhje profesionale dhe miqësi të reja.

Lajmet e fundit