Fëmijët e Gjirokastrës po i përqafojnë gjithnjë e më shumë vlerat e trashëgimisë kulturore të qytetit përmes aktiviteteve edukative-argëtuese. Për të shtuar dashurinë e të vegjëlve për këto vlera, Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri në bashkëpunim më aktorë lokalë organizuan 4 atelie të trashëgimisë kulturore mes datave 17-24 qershor.
Më 17 qershor, 20 fëmijë nga 7 deri 11 vjeç morën pjesë në një atelie trashëgimie ku pikturuan shtëpitë e drurit të ndërtuara me materialet e ricikluara nga Kampi i 27 Rajonal i Restaurimit. Krahas argëtimit me pikturimin, fëmijët u njohën edhe me materialet përbërëse të shtëpive gjirokastrite.
Disa ditë më pas, më 22 qershor, pjesë e ateliesë u bënë fëmijë të moshave 4-7 vjeç. Të vegjëlit u argëtuan me “Xhubletën”, një ndër libërthat e serisë “E Ka Kush e Ka”. Dëshira dhe interesi i fëmijëve na surprizoi, ndërsa pyetjeve të tyre se kur do të zhvillojmë aktivitetin e radhës ju përgjigjeshim me “shumë shpejt” dhe një përqafim.
Për Nikolën, 7 vjeç, “kostumet popullore dhe libërthat janë shumë interesantë dhe do të donte t’i pikturonte dhe të mësonte më shumë”.
Arlisa Gushi, specialiste e trashëgimisë në Qendrën Kulturore të Fëmijëve, mendon se “mësimi përmes argëtimit është mënyra e duhur për të përçuar informacion për trashëgiminë tek fëmijët”.
Në 23 qershor, në lulishten e Shtëpisë Babameto (kjo e fundit e restauruar nga CHwB Albania), 26 fëmijë dhe 9 gjyshër zhvilluan një atelie të trashëgimisë kulturore me modelin prej letre të Shtëpisë Babameto. Me plotësimin e modelit tek fëmijët rritej dëshira dhe interesi për të vizituar këtë shtëpi të mrekullueshmë gjirokastrite.
Për Nikon 9 vjeçar atelieja ishte krejt e veçantë. “Mua me pëlqeu shumë aktiviteti sepse pasi e ndërtuam shtëpinë prej letre, pamë atë të vërtetën prej guri”.
Kurse gjysh Pandeli Çekani, 77 vjeçar, e shijoi me nipin e tij atelienë. “Ishte një aktivitet shumë edukues që zhvillon anën e të menduarit si për fëmijët, si për ne që i ndihmuam. Më pëlqen ideja që fëmijët të njohin trashëgiminë dhe ne gjyshërit mund dhe duhet t’u japim informacion atyre për shtëpitë e vjetra të Gjirokastrës”.
Veprimtaria përmbyllëse e kësaj jave mbushur përplot me trashëgimi u mbajt më 24 qershor, ku 15 fëmijë të moshës 5-6 vjeçare zhvilluan një atelie me libërthin “Hamami”. Për rreth 1 orë të vegjëlit vizituan hamamin e Gjirokastrës, burimet përreth tij dhe më pas ngjyrosën libërthin e hamamit, pjesë e koleksionit “E Ka Kush e Ka”. Kjo seri libërthash synon të njohë të vegjëlit e sotëm/ të rriturit e së nesërmes me vlerat e trashëgimisë kulturore kombëtare.
CHwB Albania falenderon Qendrën Kulturore të Fëmijëve “Fato Berberi”, Fondacionin Gjirokastra si dhe dy vullnetarët Melita Cekani dhe Rezi Musta për përfshirjen e tyre aktive në këtë aktivitet kaq të rëndësishëm për të rritur një brez që përkujdeset dhe promovon trashëgiminë kulturore të Gjirokastrës.