14 fëmijë dhe tri eduktatore të Kopshtit Nr. 6 në Gjirokastër morën pjesë në atelienë e trashëgimisë të organizuar në datën 9 qershor në qytetin e gurtë. Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri (CHwB Albania) vendosi që t’i njihte fëmijët me libërthin “Xhubleta – Veshja e Lashtë e së Bukurës së Maleve” . Pas një shpjegimi të shkurtër mbi këtë veshje, ndër më të veçantat e artit tonë popullor, të vegjëlit përveshën mënget dhe u përpoqën të risillnin çka sapo kishin parë e dëgjuar.
Me një emocion që shquhej lehtë në sytë e tyre, fëmijët nisën të ngjyrosnin libërtha që mezi prisnin t’ua rrëfënin shokëve, por edhe familjarëve.
E vogla Viki tregoi një talent të vërtetë në pikturë. Kur ju afruam ajo na tha se kish parë veshje tradicionale te një shoqja e saj. “Kam parë kostume tradicionale sepse ka një shoqja ime, por nuk kam parë veshje të veriut të Shqipërisë, ndaj dua që t’i vizatoj mirë e më pas t’ia tregoj mamit”, u shpreh vogëlushja.
Angjelen nuk e linte kureshtja të qetë. Pasi e mori libërthin e xhubletës me vete për në shtëpi ajo u kthye prapë në kopësht për një çështje jetike. “Më pëlqeu që vizatova kostumin e burrave pasi është shumë i bukur, por tani pasi i bashkova pikat erdha të pyes nëse mundem t’i ngjyros dhe shtëpitë?”, pyeti. Kjo na gëzoi pa masë pasi një ndër qëllimet e koleksionit për fëmijë E KA KUSH E KA është pikërisht edhe nxitja e imagjinatës tek fëmijët duke dëgjuar dhe pikturuar.
Në këtë kuadër, edhe Bardha Aliko, drejtoresha e kopshtit nr. 6 e mirëpriti atelienë. “Kemi pasur rastin të zhvillojmë aktivitete të ndryshme, por jo me këto tematika. Është mjaft domethënëse për kopshtin dhe fëmijët të kënë aktivitete të tilla në vazhdim”, u shpreh ajo.
Atelietë e Trashëgimisë janë nismë e CHwB Albania që synon ofrimin e mbështetjes me metodologji të përshtatshme edukative dhe argëtuese për fëmijë të moshave të ndryshme, prindër e mësues.