
Stafi i CHwB-së po marrin Çmimin e BE-së për Trashëgiminë Kulturore / Çmimin Europa Nostra 2014 në kategorinë e “Edukimit, Trajnimit dhe Rritjes së Ndërgjegjësimit” për Kampet Rajonale të Restaurimit të CHwB-së.
Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) zhvilloi të Hënën datë 29 Shtator, në ambjentet e Ministrisë Kulturës, ceremoninë e marrjes së Çmimit të Bashkimit Evropian për Trashëgiminë Kulturore / Europa Nostra për Kampet Rajonale të Restaurimit. Të pranishëm në këtë kremtim ishin rreth 70 partnerë, miq e mbështetës të punës së CHwB në vite.
Çmimi prestigjoz i Europa Nostrës vuri në garë 160 projekte të propozuara nga 30 vende, prej të cilëve Kampet e CHwB-së u shpallën fitues në kategorinë e “Edukimit, Trajnimit dhe Rritjes së Ndërgjegjësimit.”Për të parën herë një nismë e tillë e konceptuar dhe zhvilluar në Shqipëri fiton një çmim kaq të rëndësisëm në rang Europe.
Kampet përfaqësojnë një model trajnimi të thjeshtë dhe të suksesshëm, i cili gjatë periudhës 2007-2014, kaloi nga një aktivitet i kufizuar në disa studentë në Shqipëri, në një modul të vlerësuar dhe përhapur jashtë saj, me një diversitet të gjerë të pjesëmarrësve. Siç u shpreh dhe Lejla Haxhiç, koordinatore rajonale në CHwB-së, “Kampet, rrugëtimin e tyre e nisën në vitin 2007. Kampi i parë, kishte vetëm 16 profesionistë. Duke qënë se ata vinin nga vende që deri vonë ishin në luftë, ata kuptuan në Shqipëri që mes nesh nuk ka dallime dhe që ne gëzojmë një trashëgimi të përbashkët…trashëgimi që na ngarkon me përgjegjësi, por që është njëkohësisht një e drejtë që askush nuk mund të na e shkelë.”
Në të njëjtin regjistër do të fliste dhe Dr. Ing-Marie Munktell, kryesuese e Bordit drejtues të CHwB-së në Suedi: “Siç e shohim ne, ka një lidhje të qartë mes restaurimit te një ndërtesë dhe ndërtimit te marrëdhënieve njerëzore, besimit, ekonomisë, shoqërisë, pra në të vërtetë kombeve.”
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe përfaqësues të Universiteteve partnere të Kampeve, si p.sh Prof. Dr. Lorenc Bejko (Universiteti i Tiranës) dhe Etleva Dobjani (Universiteti Polis). Në fjalët e tyre ata vlerësuan Kampet si një përvojë unike për profesionalizimin e studentëve.
Për Arta Dollanin, Kreun e Institutit për Monumentet e Kulturës, ishte e rëndësishme të theksohej që me Kampet si dhe projektet e saj në tërësi, CHwB ka caktuar një standart të ri duke thënë se “I paçmuar është fakti që këto procese kanë ndjekur eksperiencat më të mira bashkëkohore evropiane.”
Prof. Dr. Lida Miraj, anëtare e Këshillit të Europa Nostra-s, gjatë dhënies së Çmimit shtoi gjithashtu që “Kampet janë një model i mirë për programe trajnimi në të gjithë Europën, sepse bëjnë së bashku studentë dhe profesionistë, ndërkohë që ndihmojnë bashkësitë vendase në rijetëzimin e trashëgimisë së tyre kulturore.”

Z. Patrik Svensson, i ngarkuari me punë i Ambasadës Suedeze në Shqipër flet për rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe rolin e Suedisë në mbështetje të Kampeve Rajonale të Restaurimit.
Nga ana e tij, i ngarkuari me punë i Delegacionit të BE-së në Shqipëri, Clive Rumbold, vlerësoi gjithashtu tek Kampet « aftësinë për të shpënë përpara përpjekjet për komunikim dhe ripajtim rajonal, një nga aspektet kyçe të integrimit evropian”. Ndërsa në emër të donatorit kryesor të CHwB-së, i ngarkuari me punë i Ambasadës Suedeze në Shqipëri, Patrik Svensson uroi që “Ky çmim për një arritjeje të madhe të jetë gjithashtu dhe një shëmbull për të frymëzuar dhe inkurajuar te tjera organizata dhe institucione.”
Ceremonia u mbyll me një kokteil, në shoqërinë e muzikës së gjallë instrumentale, teksa të gjithë së bashku, partnerë, miq e mbështetës të CHwB-së uruan për sa më shumë momente të tillë krenarie në të ardhmen.