Të martën, Trashëgimia Kulturore pa Kufij, Shqipëri (CHwB Shqipëri) në bashkëpunim me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit (AADF) dhe Zonën e Zhvillimit të Turizmit (TID Kruja) çelën një ekspozitë unike me punimet artistike të Artizanëve të Pazarit të Krujës.
Ekspozimi është fryt i projektit të suksesshëm “Artizanët e Krujës”, i zbatuar nga CHwB Shqipëri dhe mbështetur financiarisht nga AADF, që synon rijetëzimin e sektorit të artizanatit në Pazarin e Krujës dhe krijimin e një linje të re artikujsh me ambicjen për të tërhequr tregun vendor, por edhe për të depërtuar kufijtë.
Të pranishëm në çeljen e kësaj ekspozite ishin përfaqësues të CHwB Shqipëri, AADF-së, Bashkisë së Krujës, TID Krujës, artizanët e qytetit, së bashku me bijtë dhe bijat e tyre, dhe vizitorë të shumtë.
Në fjalën e saj të mirëseardhjes, zj. Arianna Briganti, menaxhere e projektit, cilësoi se ky aktivitet ka kërkuar një impenjim të madh nga të gjithë partnerët, porse zotimet e palëve në fillim të tij tanimë janë përmbushur. “Për të arritur në këtë ekspozim të mrekullueshëm të gjithë së bashku kemi kaluar nëpër shumë sfida. Seminaret dhe udhëtimet studimore që kemi organizuar na kanë ndihmuar të kuptojmë rëndësinë e identifikimit të origjinës së produkteve në Pazar, hapat për të promovuar punimet artizanale, rëndësinë e mbajtjes gjallë të trashëgimisë së vjetër, përfitimet ekonomike të artizanatit, etj. Tani, teksa shohim këto produkte që mbajnë markën, mundin, vullnetin tuaj, të gjithë duhet të ndjehemi krenarë”, theksoi ndër të tjera zj. Briganti.
Fjalën më pas e mori Drejtoresha Ekzekutive e CHwB Shqipëri, zj. Lejla Hadzic. “Jemi mbledhur këtu për të festuar një moment suksesi të zbatueseve dhe financuesve të këtij projekti, por mbi të gjitha të artizanëve të Pazarit të vjetër të Krujës. Secili prej tyre ka zhvilluar një punë të jashtëzakonshme që besojmë do të korrë fryte të merituara”.
Përfaqësuesi i AADF-së, Oltion Dervishi, përshëndeti me vlerësime të veçanta çeljen e një ekspozitë të tillë. “AADF-ja ka zgjedhur qytetin e Krujës, qytetin më të vizituar në Shqipëri, për të promovuar turizmin dhe siguruar ruajtjen e burimeve të trashëgimisë kulturore. Ne kemi restauruar Pazarin dhe vazhdimisht ofrojmë shërbime këshilluese apo grante për bizneset që veprojnë në këtë zonë. Nisma si “Artizanët e Krujës” kanë gjetur mbështetjen tonë institucionale dhe jam këtu për t’ju siguruar që do të vazhdojnë ta gjejnë”, theksoi ndër të tjera z. Dervishi.Ndërsa kreu i TID Kruja, z. Idriz Çela, u shpreh se bashkëpunimi me CHwB Shqipëri ka qenë shumë frytdhënës në shtimin e larmishmërisë së produkteve, duke i shtuar vlerë Pazarit. “Përmes nismave të ngjashme ne shpresojmë të krijojmë larmi të produkteve dhe shërbimeve në Pazar dhe shpresojmë që rinia të ndërgjegjësohet dhe të afrohet pranë artizanatit duke ruajtur traditën brez pas brezi”, përfundoi ai.
Për artizanen Elida Çela, e cila përmes kostumeve popullore përcjell vlerat më të mira të traditës shqiptare, projekti “Artizanët e Krujës” ka sjellë ide të mrekullueshme. “Përveç punës së vazhdueshme më konsulentët, do të veçoja edhe udhëtimet studimore që kemi ndërmarrë. Takimet me artizanët, bisedat, vizitat në punëtoritë e tyre na kanë frymëzuar si për krijimin e punimeve të reja, ashtu edhe për përmirësime të vogla që mund të bëjmë në dyqanet tona”, u shpreh ajo.
Kristina Mjeda, artizane dhe sipërmarrëse me përvojë nga Shkodra, ndihmoi në zhvillimin e produkteve të reja duke krijuar kombinime unike të suvenireve artizanale. “Mendoj se Pazari i Krujës ka vlera unikale për vendin tonë sepse, përveç bukurisë së peizazhit historik e arkitektonik, ai është i pasuruar nga artizanët e talentuar që punojnë aty. Bazuar mbi përvojën time them se Pazari është në rrugë të mbarë drejt një zhvillimi të mëtejshëm, me anë të të cilit do të arrijë t’u përgjigjet më mirë kërkesave të tregut gjithmonë në ndryshim”, theksoi ajo.
Si gur të fundit në “gjerdanin” e kësaj pune jetike për nga vlerat dhe nga rëndësia, ne jemi të kënaqur tek shohim që “Artizanët e Krujës” ka arritur me sukses të shtojë rrisë aftësitë e artizanëve duke u mundësuar atyre të vihen në kontakt me një segment më të gjerë të tregut. Përmes zhvillimit të paketimeve krijuese, çantave të letrës, zhvillimin e fletëpalosjeve për çdo artizan dhe pazarin, partnerët e këtij projekti besojnë që kanë kontribuar për krijimin e një markë të unifikuar dhe të dallueshme shqiptare, që gërsheton traditën me modernitetin, duke prezantuar kështu një pamje të re të Krujës.