Dialogjet për Spaçin: një plan-veprimi për ish-burgun

Spaç WS3

Pjesëmarrësit e punëtorisë III mblidhen në Gjirokastër.

Pas Mirditës dhe Shkodrës, projekti i Dialogjeve për Spaçin shpuri grupin e punës në rajonin e Gjirokastrës, për punëtorinë e tretë dhe të fundit të këtij procesi. Fokusi i kësaj punëtorie ishte propozimi i një plan-veprimi të përbërë nga aksione/aktivitete/projekte konkrete duke u bazuar në dokumentimin (punëtoria I) dhe vizionin strategjik (punëtoria II) të përpunuar me herët bashkarisht nga palët e interesit pjesëmarrëse.

Tre ishin objektivat kryesorë të cilët iu prijnë propozimeve konkrete për të ardhmen e ish-Burgut:

  1. Edukimi, interpretimi dhe përfshirja publike
  2. Përmirësimi i ndërtesave dhe infrastrukturave ekzistuese
  3. Përcaktimi i kornizës ligjore, menaxhimi dhe përqasjet strategjike.

Për secilin nga objektivat u renditën një sërë aktivitetesh të diskutuar dhe të dakorduara nga të gjithë pjesëmarrësit. Të tilla ishin për shëmbull përfshirja e historisë së ish-burgut të Spaçit në tektet shkollore (Objektivi 1); restaurimi/rikonstruktimi i disa pikave kyçe (qelitë, dera hyrëse, gardhi, kullat e vrojtimit, galeritë) dhe ndërlidhja e tyre në një itinerar të vizitueshëm (Objektivi 2); organizimi i një konference donatorësh për të siguruar financimin e prioriteteve të identifikuara (Objektivi 3).

Përveç pjesës teorike, grupi i punës pati mundësi të bëjë dhe disa vizita në vendet e trashëgimisë së periudhës së komunizmit në rajon, duke filluar nga tuneli anti-bërthamor në Gjirokastër, ish Kampi famëkeq i Tepelenës, burgu i 7 Penxhereve po në Gjirokastër etj.

Aktualisht grupi i punës po punon për të harmonizuar elementë e Plan-veprimit, përmbajtja e sëcilit do ti nënshtrohet së shpejti dhe një shqyrtimi publik.

Nëse dëshironi i të jepni mendimin tuaj rreth aksioneve/aktiviteteve/projekteve që mund të zbatohen në kuadër të jetëzimit të ish-burgut të Spaçit, na ndiqni në spacdialog.org për modalitetet e shqyrtimit publik.

PËRDITËSIM: Klikoni këtu për të ngarkuar raportin e plotë të punëtorisë III, i cili përfshin edhe ‘Plan-veprimi për Spaçin’. Shqyrtimi publik do të fillojë javën tjetër. Do të japim më shumë informacione së shpejti.

Ky projekt zbatohet nga CHwB dhe mbështetet nga Suedia dhe Koalicioni Ndërkombëtar i Vendeve të Ndërgjegjes.

Lajmet e fundit