CHwB Shqipëri Organizon Atelienë e Parë të Trashëgimisë në Korçë

HeritageAtelier_Korca (2)Në hartën e Atelieve të Trashëgimisë të organizuara nga Fondacioni Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri (CHwB Shqipëri) nuk mund të mungonte Korça e Mësonjëtores së parë.

Një ekip i CHwB Shqipëri, i asistuar nga Njësia Kreative e Bashkisë së Korçës organizuan më 2 Tetor 2015 një Atelie me fëmijë të moshës nga 9 deri në 14 vjeç. Fëmijët punuan tok me prindërit dhe edukatorët e tyre me modelin prej letre të Shtëpisë Babameto, pjesë e koleksionit “E Ka Kush e Ka”.

HeritageAtelier_Korca (4)Gjatë një bashkëbisedimi të shkurtër përfaqësuesit e CHwB Shqipëri i njohën fëmijët më njohuritë bazë të trashëgimisë kulturore duke u përqëndruar në monumentet kulturore të qytetit të Korçës. Menjëherë më pas u vizitua Muzeu Kombëtar i Arsimit në Korçë. Atje fëmijët u pritën nga Drejtori i Muzeut, Niko Kotherja, i cili i njohu ata me ndërtesën historike dhe rëndësinë e saj shekullore, si dhe objektet që gjenden në të, të mbledhura me aq mund.

Pasi u njohën me Muzeun e Arsimit, i cili është shembull i arkitekturës dhe trashëgimisë së ndërtuar korçare të shekullit XIX, fëmijët nisën punën për ndërtimin e modelit prej letre të banesës gjirokastrite të Familjes Babameto, që i përket po të njëjtës periudhë. Fëmijët e përfunduan me sukeses modelin, i cili u solli lodhje, por dhe kenaqësi.

Atelietë e Trashëgimisë kanë për kryefjalë fëmijët dhe gërshetojnë vizita në objekte vendore të trashëgimisë kulturore me punën praktike. Përgjatë vitit 2015, CHwB Shqipëri ka mbajtur 15 Atelie në 8 qytete të Shqipërisë dhe Kosovës. 267 fëmijë, shoqëruar nga 36 prindër ose edukatorë, kanë luajtur dhe janë formësuar me koleksionin e serisë “E Ka Kush e Ka”.

HeritageAtelier_Korca (7)Koleksioni në fjalë përbëhet nga 4 libërtha, 1 puzzle, 1 model prej letre dhe synon t’i njohë fëmijët me vlerat e trashëgimisë kulturore dhe t’iu mësojë atyre kujdesin për të. Një ndër principet themelorë të CHwB Shqipëri i mëshon faktit që objektet e trashëgimisë kulturore janë unikë dhe dëmtimi apo zhdukja e tyre përbën një humbje dhe varfërim të pakthyeshëm të trashëgimisë së popullit shqiptar.

CHwB Shqipëri beson se trashëgimia kulturore është pronë që duhet të shfrytëzohet dhe mbrohet nga të gjithë në mënyrë që t’u përcillet brezave të ardhshme.

 

Lajmet e fundit