Tri zyrat e Fondacionit Trashëgimia Kulturore pa Kufij në Shqipëri, Bosnje Hercegovinë dhe Kosovë, organizuan “Trajnimin Ndërkombëtar Mbi Menaxhimin e Rrezikut për Trashëgiminë Kulturore në Rast Katastrofe”. Në trajnim morën pjesë 28 profesionistë të muzeve dhe trashëgimisë si dhe praktikantë të manaxhimi të rrezikut nga Ballkani, Europa Lindore dhe Lindja e Mesme.
Trajnimi tri javor filloi në Sarajevë, në Muzeun Kombëtar të Bosnje-Hercegovinës, u fokusua në simulime të ndryshme për ruajtjen e artefakteve muzeale në raste përmbytjesh, zjarri apo neglizhencës njerëzore. Për Aida Salketic, menaxhere e programeve në CHwB Bosnia trajnimi në Sarajevë ishtë i suksesshëm. “Më së pari, ne i njohëm pjesëmarrësit me trajnimin dhe ciklin dhe praktikat e menaxhimit të rreziqeve të katastrafave. U fokusuam në koleksionet dhe praktikat muzeale përmes ligjëratave dhe simulimeve të ndihmës së parë dhe evakuimit të objekteve muzeale pas një katastrofe”. Salketic, historiane arti, thekson ashtu punën e fortë në grup përgjatë gjithë trajnimit.
Në javën e dytë në Prishtinë, pjesëmarrësit aplikuan ciklin e menaxhimit të rreziqëve në situata katastrofe në një kontekst urban duke u rrekur t’i përgjigjen pyetjes se si përshtatet e funksionon menaxhimi i rrezikut në planifikimin e integruar të qyteteve historike. Nol Binakaj, zëvendës-kreu i CHwB Kosova, thotë se trajnimi i përmbushi pritshmëritë e tyre. “Për një javë ne u munduam të identifikojmë vlerat e qendrës së Prishtinës. Në objektet e vlerësuara bënë pjesë edhe ato më të rejat si monument i Neëborn-it apo Pallati i Rinisë. Kemi dashur të tregojmë që vlera mbartin jo vetëm objektet e vjetra, por edhe ato më të reja”, u shpreh ai. Për z. Binakaj, arkitekt, “grupi i larmishëm i pjesëmarrësve, sa i përket vendit dhe formimit, u dha të gjithëve mundësinë të jepnin dhe të merrnin shumëçka nga ky trajnim. Për më tepër, trajnimi ndihmoi lidhjen kulturore të këtyre pjesëmarrësve. Kjo lloj marrëdhenie e shëndoshë që krijohet në këto organizime ndihmon në sheshimin e problematikave rajonale dhe jo vetëm”, përfundoi z. Binakaj.
Java e tretë dhe përmbyllëse u mbajt në qytetin muze të Gjirokastës. Elena Mamani, zëvendës-drejtore e CHwB Albania theksoi se programi ka gërshetuar ligjërata nga lektorë ndërkombëtare me ushtrime praktike që reflektojnë situata katastrofash për të testuar dijet e pjesëmarrësve, por edhe për të përfituar nga përvoja e tyre. “Qëllimi i trajnimit është që profesionistët e trashëgimisë apo pjesëmarrësit me profile të tjera të mësojnë aftësi praktike për mbrojtjen dhe parandalimin e dëmtimit të trashëgimisë shpirtërore”. “Pjesëmarrësit studiuan mënyra dhe strategji për ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore. Disa nga temat më të rëndësishme që u diskutuan janë: vlerësimi i rrezikut për trashëgiminë kulturore shpirtërore, rëndësia e dokumentimit të kësaj trashëgimie etj”, u shpreh Mamani.
Një pjesë e rëndësishme e trajnimit, që tërhoqi vëmendjen e gjerë të komunitetit lokal, ishte paneli i diskutimit mbi mënyrën sesi kultura dhe trashëgimia mbështesin përgjigjen humanitare dhe anasjelltas. Të ftuarit në panel ishin Birgitta Jansson, drejtoreshë e fondit të zhvillimit të Suedisë (SIDA); Xhuvanaq Gjylameti, Drejtor i Qendrës Operacionale të Emergjencave Civile në Ministrinë e Mbrojtjes; Sonila Kora nga Drejtoria e Trashëgimisë Jomateriale në Ministrinë e Kulturës dhe Catherine Antomarchi nga ICCROM-i, Romë. Të ftuarit diskutuan ndër të tjera për mundësimin e më shumë trajnimve për të krijuar rrjete vullnetarësh dhe integruar pikëpamjet dhe vlerat vendore në përgjigjen humanitare.
Për të ndihmuar shkrirjen sa më të mirë të pjesëmarrësve, në Gjirokastër u organizua gjithashtu edhe Nata e Kulturës. Pjesëmarrësit u ndanë në grupe dhe “garuan” për të shpërfaqur kulturën e tyre të mrekullueshme, që reflektohet në këngët, vallëzimin dhe poezinë. Kjo ngjarje, që u shoqërua me performanca muzikore dhe të vallëzimit, manifeston vërtet shpirtin përbashkues të kulturës dhe diversitetit kulturor.
Ky trajnim u organizua nëpërmjet projektit rajonal “Ndihma e Parë për Kulturën në Ballkan” (B+CARE), një platformë e themeluar në mars të vitit 2016 për të frymëzuar, trajnuar dhe koordinuar vullnetarë për përgatitjen dhe ndihmën e parë në emergjencat kulturore. Trajnimi i B+CARE është financuar nga Prince Clause Fund dhe Qeveria e Suedisë.