Me rastin e 18 prillit, “Ditës Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Siteve” (tradicionalisht kjo ditë njihet si Dita Botërore e Trashëgimisë), Trashëgimia Kulturore pa Kufij Shqipëri mori pjesë në aktivitetin “Trashëgimia Kulturore e Tiranës” organizuar nga Bashkia e kryeqytetit.
Aktiviteti u zhvillua mes qytezës antike të Përsqopit, një vendbanim ilir që daton në shek. IV-III para erës sonë, dhe Kalasë së Petrelës. Prezentë në këtë aktivitet ishin Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ekspertë të trashëgimisë kulturore, artistë, artizanë, studentë etj.
“Qëllimi i kësaj dite dhe këtij aktiviteti, – u shpreh z. Veliaj – është inkurajimi i komuniteteve lokale dhe banorëve, për t’i kushtuar vëmendje të veccantë trashëgimisë kulturore për jetët, identitetin dhe komunitetin e tyre”.
Për të përshendetur këtë ditë të rëndësishme për trashëgiminë kulturore të Tiranës CHwB Shqipëria organizoi një atelie të trashëgimisë me 30 fëmijë të moshave 5-13 vjeç. Për këta fëmijë ishte herë e parë që hasnin një seri kaq interesante libërthash. Fëmijet, së taku me ekipin e CHwB-së dhe Kryetarin e Bashkisë z. Veliaj biseduan rreth hamameve, xhubletave dhe kuptimit të tyre.
Fëmijët vendas, ata që kishin erdhur enkas për aktivitetin dhe ekipi i CHwB-së më pas lexuan dhe ngjyrosën së bashku libërthat. Liberthat dhe Modeli i Letrës së Shtëpisë Babameto janë prodhuar nga CHwB Albania si pjesë e Koleksionit “E Ka Kush E Ka” që kërkon të përfshijë fëmijë e të rritur në një seri libërthash dhe lojrash përmes së cilave ata zbulojnë dhe kuptojnë trashëgiminë kulturore.
Atelieja u mbyll me misionin e përmbushur dhe të gjithë të buzëqeshur në një foto grupi. Kjo ishte përmbyllja e përkryer e një dite të fantastike për fëmijët dhe CHwB-në. I jemi mirënjohës Bashkisë së Tiranës dhe Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore këtë institucion për organizimin e një ngjarjeje kaq të bukur dhe për ndihmën e dhënë në këtë ditë të veçantë për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e librave për fëmijët dhe dobishmërinë e edukimit përmes kulturës që nga vegjëlia.