Në vitin Europian të Trashëgimisë Kulturore, 50 mjeshtra dhe ndihmësmjeshtra të rinj iu shtuan listës në rritje të personave të certifikuar nga trajnimi “Teknikat Tradicionale në Ndërtim”. Ceremonia u zhvillua në sallën UNESCO të Muzeut Historik Kombëtar me pjesëmarrjen e Ministres së Kulturës, Zj. Mirela Kumbaro Furxhi, Drejtoreshës së Institutit të Monumenteve të Kulturës, Zj. Arta Dollani, Ambasadorit të Suedisë, Z. Johan Ndisi, Zëvendës Ambasador-it të Gjermanisë, Dr. Johannes Dietrich, përfaqësuesit të Ministrisë së Ekonomisë, Energjitikës, Transportit dhe Zhvillimit Rajonal në landin e Hessen-it – Gjermani, Z. Gilbert Blumenstiel si dhe të gjithë mjeshtrave e ndihmësmjeshtrave të certifikuar.
Projekti “Aftësi për punësimin e së nesërmes” është një trajnim profesional për teknikat tradicionale të restaurimit. Trajnimi është i certifikuar dhe u jep të rinjve të trajnuar mundësi punësimi në restaurimin dhe konservimin e ndërtesave historike. Ai ka krijuar një platformë për kalimin e vazhdueshëm të njohurive nga mjeshtrat me përvojë shumëvjeçare tek më të rinjtë. Gjatë trajnimit pjesëmarrësit njihen me materialet e teknikat historike të ndërtimit si edhe me teknika të ndryshme riparimi, gjatë punës praktike në Monumente Kulture në Berat, Korçë e Gjirokastër. Deri tani janë zhvilluar tre module të trajnimit: moduli i parë nisi në dhjetor 2016 dhe përfundoi në qershor 2017, moduli i dytë nisi në maj 2017 dhe përfundoi në nëntor 2017, ndërsa moduli i tretë nisi në maj 2018 dhe përfundoi në tetor 2018.
Të tre modulet e trajnimit janë zhvilluar në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës; Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat, Gjirokastër dhe Korçë; Drejtoritë Rajonale të Formimit Profesional Publik Korçë e Gjirokastër dhe Shkollën Profesionale të Mesme Stiliano Bandilli. Donatorë janë Ministria e Ekonomisë, Energjitikës, Transportit dhe Zhvillimit Rajonal e Landit të Hessenit në Gjermani via GIZ dhe Qeveria Suedeze.
Bashkë me partnerët tanë: Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës po vazhdojmë të punojmë për krijimin e mundësive të reja të punësimit për ndihmësmjeshtrat e rinj, për të njohur aftësinë dhe dijen e mjeshtrave në tregun e sotëm të punës dhe për të përmirësuar cilësinë e punimeve të restaurimit në Shqipëri.