Në kuadër të projektit “Bëje tënden”, financuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Qeveria Suedeze, në qytetin-muze të Beratit u organizua një punëtori mbi trashëgiminë kulturore.
Në datë 26 Shtator, 2016, CHwB Albania organizoi një aktivitet një ditor për njohjen dhe ndërgjegjësimin rreth këtij ansamblit të vlerave të Beratit. 15 anëtarë të Këshillit Rinor të Ambasadës Amerikane në Tiranë (KRAA) veshën helmeta, doreza dhe syze dhe morën pjesë në punë të vogla restauruese.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të ndiqnin një ligjeratë të Drejtores Ekzekutive të CHwB Albania, Lejla Hadzic, dhe asistuan në restaurimin e shtëpive monumentale nën mbikqyrjen e mjeshtrave me përvojë berateas. Kështu, simbolikisht, ata ndihmuan në ruajtjen e vlerave të Beratit. Të ndarë në tri grupe, ata punuan me mjeshtrin e gurit Xhoxhi Fani, me mjeshtrin e fasadës së shtëpive goricare, Rasim Shuko dhe mjeshtrin dru-gdhendës Vladimir Poçi. Anëtarët e KRAA-së ndërvepruan në mënyrë të shkëlqyer edhe me pjesëtarët e Kampit të 30-Të Rajonal të Restaurimit, aktivitet që u zhvillua për dy javë në Berat.
Për Fjoralba Cakën, lektore dhe drejtuese e KRAA-së, ky aktivitet ishte i mirëpritur. “Anëtarët tanë u angazhuan dhe argëtuan pa masë nga aktiviteti “Make it Yours” dhe eksperienca e kampeve të restaurimit të CHwB Albania. Uroj që ky të jetë vetëm bashkëpunimi i parë nga shume të tjerë të suksesshëm”, u shpreh ajo. Ndërsa Xheni Hatillari, anëtare e Këshillit, para kamerave të medias lokale shprehu besimin se angazhimi më i madh i të rinjve do të ndryshojë për mirë interesin në trashëgiminë kulturore dhe do të ndihmojë në ruajtjen dhe promovimin e saj.
Në fund të ditës, restauratorët e rinj të kampit të CHwB Albania, u dhuruan miqve nga Tirana logon e KRAA-së të gdhendur në gur. “Make it Yours” synon të parit e monumenteve të kulturës dhe trashëgimisë në tërësi nga një tjetër këndvështrim. Përmes këtij projekti CHwB Albania ka për qëllim të rrisë ndjenjën e përkatësisë të qytetarëve të Shqipërisë përkundrejt trashëgimisë, por edhe t’i përballë këta të fundit me paragjykimet apo keqkuptimet e koncepteve të saj.