Atelieja e fundit e trashëgimisë për vitin 2014

Babameto Heritage Atelier

Gjithsej 32 fëmijë të klasës së IV dhe 2 mësuese nga shkolla Urani Rumbo në Gjirokastër morën pjesë në atelienë e trashëgimisë së datës 11 Dhjetor në Gjirokastër. Atelieja u zhvillua në ambjentet e shtëpisë së Babemetove, monument i kategorisë së parë i restauruar rrishtazi nga CHwB. Fillimisht së bashku me stafin e CHwB-së dhe me profesionistët vendas fëmijët vizituan dhe komentuan odat e ndryshme të kësaj shtëpie të madhe. Më pas ata përveshën mënget dhe u përpoqën të rindërtonin çka sapo kishin parë me sytë e tyre.

Fëmijët mundën të punonin me një model të përshtatshëm prej letre të shtëpisë së Babametove, të konceptuar dhe prodhuar nga CHwB në kuadër të koleksionit për fëmijë E KA KUSH E KA. Fëmijët me shumë entuziazëm dhe saktësi arritën që të gjitha copëzat e shtëpisë ti vendosnin së bashku, për të arritur në fund rezultate shumë harmonike. Të gjithë tok, fëmijë e të rritur mund të themi me plot gojë që e ardhmja e arkitekturës tradicionale në Gjirokastër është në duar të sigurta.

Babameto Heritage AtelierKjo ishte dhe atelieja e fundit e trashëgimisë për fëmijë për vitin 2014. Gjithsej këtë vit CHwB organizoi 6 atelie për më shumë se 170 fëmijë të moshave 4-11 vjeç, nga kopshte dhe shkolla të qyteteve të ndryshme të vendit si Gjirokastra, Kruja dhe Tirana. Përshëndesim përzemërsisht mbi 30 pjesëtarë të stafeve pedagogjike të kopshteve dhe shkollave të përfshira, që ndanë me ne pasionin dhe vullnetin për ti afruar fëmijët që në moshë të hershme me trashëgiminë. E Ka kush e Ka dhe atelietë janë nisma që synojnë pikërisht ofrimin e suporteve dhe metodologjive të përshtatshme edukative dhe argëtuese për fëmijë, prindër e mësues.

Atelietë e trashëgimisë për fëmijë do të vazhdojnë dhe në vitin 2015.

Lajmet e fundit