Florian Raunig (Kryetar i Bordit)
Florian Raunig është një diplomat austriak karriere, i cili ka shërbyer për shumë vite në Europën Juglindore. Ai ka shërbyer si Ambasador i Austrisë në Malin e Zi (2007-2009) dhe në Shqipëri (2009-2013). Nga viti 2013 deri në 2016 Floriani kryesoi prezencën e OSBE-së në Shqipëri. Duke e filluar karrierën në vitin 1996 si lektor në Universitetin e Elbasanit ai u bashkua prezencës së OSBE-së në Shqipëri në vitin 1997 duke çelur zyrat e Shkodrës dhe Bajram Currit. Më vonë Floriani rihapi Zyrën e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim në Tiranë dhe hapi Zyrën e Shkupit (1998-2000). Në vitet 2000-2002 ishte menaxher i projekteve për zhvillimin vendor në Delegacionin e Komisionit Europian në Tiranë. Në vitin 2002 ai iu bashkua Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme duke shërbyer në Vjenë dhe Lubjanë. Në vitin 2004 Floriani iu bashkua Agjencisë Austriake për Zhvillim, e sapothemeluar. Ai është diplomuar në Shkenca Politike dhe Filozofi në Universitetin e Vjenës dhe mban titullin Honoris Causa akorduar nga Universiteti Polis. Floriani është qytetar nderi i Komunës Bushat dhe është shpërblyer me “Medaljen e Mirënjohjes” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Përveç gjuhës gjermane ai flet Shqip, Anglisht, Frengjisht, Italisht dhe gjuhën malazeze.
Edlira Çaushi (Zv-Kryetare e Bordit)
Edlira Çaushi ka shërbyer si drejtore, dhe më pas, shefe e sektorit të restaurimit për konservimin e veprave të artit në Institutin e Monumenteve të Kulturës të Shqipërisë. Për 8 vite ajo ishte në krye të Qendrës për Konservimin dhe Restaurimin në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Aktualisht, ajo është anëtare e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, anëtare e Këshillit Shkencor në Institutin e Monumenteve, anëtare e Komisionit Kombëtar për Vlerësimin e Aseteve Kulturore dhe anëtare e komitetit shkencor për pikturat murale në ICOMOS. Edlira është profesore në Departamentin e Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore në Universitetin e Tiranës, fokusuar në mësimdhënien dhe kërkimin shkencor të trashëgimisë kulturore.
Emin Riza (Anëtar i Bordit)
Studiues i arkitekturës popullore, inxhinier restaurator, profesor, akademik. Ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Inxhinierisë të UT, ku u diplomua inxhinier ndërtimi (1962). Në vitet 1962–1965, punonjës shkencor në Grupin e Kulturës Materiale në Institutin e Historisë dhe të Gjuhësisë; në vitet 1965–1993 dhe 1997 e në vijim punonjës shkencor e specialist restaurator në Institutin e Monumenteve të Kulturës, ku ka kryer dhe detyra drejtuese, si përgjegjës sektori, nëndrejtor (1985–1988) e drejtor (1988–1993); në vitet 1993–1997, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe kryeredaktor i revistës “Studia Albanica”. Në vitet 2009-2012 kryetar i Seksionit të shkencave shoqërore dhe albanologjike të ASHSH. Ka punuar në fushat e restaurimit dhe studimit të monumenteve të arkitekturës, kryesisht në gjininë e banesës popullore shqiptare. Ka kryer veprimtari për gjurmimin dhe vënien në mbrojtje të monumenteve, restaurimin, studimin e tyre dhe ka dhënë ndihmesë përmes publikimit të artikujve dhe monografive. Deri më sot ka botuar 16 monografi (4 si bashkautor), një album dhe dy tekste universitare (bashkautor), si dhe 90 artikuj në revista dhe botime shkencore.
Karen Knight (Anëtare e Bordit)
Karen Knight ka punuar në sektorin e trashëgimisë dhe arteve për mbi 30 vjet. Pas një diplome në historinë e artit dhe studimeve postuniversitare në muzeologji ajo ka punuar si historiane sociale duke regjistruar histori orale në Birmingham. Karriera e saj u zhvendos në menaxhimin e muzeve rajonale dhe drejtimin e shërbimeve bazuar në qasjen në koleksione, burime njerëzore dhe ndërtesa. Karen u emërua në Task Forcën e Qeverisë ku iu kërkua të përgatisë “Rilindja në Rajone”, një raport mbi të ardhmen e muzeve rajonale në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. Ajo ishte një anëtare themeluese e grupit të punës, i cili inicioi Clore Leadership Programme dhe vijon të drejtojë “Flotsam”, një forum joformal për debate në lidhje me artet dhe trashëgiminë. Si një mentore e autorizuar nga Heritage Lottery Fund, Karen tani këshillon projekte të mëdha të trashëgimisë mbi interpretimin, aksesin dhe menaxhimin e ndryshimit në Mbretërinë e Bashkuar. Si një vullnetare Karen punon me një numër të ndërtesave kishtare në East Anglia. Në Greqi ajo mbështet menaxhimin e koleksioneve me Muzeun e Historisë Natyrore Goulandris; në Serbi programin Creative Mentorship dhe Muzeu Karagujevic; dhe në Shqipëri punon me CHwB dhe HWB. Ajo gjithashtu mbështet një program të regjistrimit të historisë orale rreth Butrintit, duke inkurajuar interpretimin e gjallë të vendeve arkeologjike dhe përfshirjen e komuniteteve lokale në trashëgiminë e tyre.
Lorenc Bejko (Anëtar i Bordit)
Prof. Asoc. Dr. Lorenc Bejko është profesor i arkeologjisë dhe trashëgimisë kulturore në UT. Ai mban një MA në Arkeologji nga Boston University (1997) dhe Doktoraturë nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë (2001). Është specializuar në arkeologjinë prehistorike, me drejtim kryesor studimin e prehistorisë së vonë (Epoka e Bronzit dhe e Hekurit) në Shqipëri dhe rajon. Interesat e tij kërkimorë përfshijnë metodat dhe teoritë e studimit arkeologjik, studimet krahasuese në shoqëritë e hershme komplekse, arkeologjinë e peizazhit, konservimin arkeologjik, trashëgiminë kulturore në shoqërinë e sotme, edukimin arkeologjik. Ka kryer punë të gjerë kërkimore në shumë rajone të Shqipërisë duke drejtuar apo bashkëdrejtuar shtatë projekte ndërdisiplinore. Ka punuar në Institutin Arkeologjik të Akademisë së Shkencave, ka drejtuar Grupin Shqiptar të Arkeologjisë së Shpëtimit, ka drejtuar Institutin e Monumenteve të Kulturës dhe që nga viti 2008 është pedagog i UT. Që prej themelimit të tij në 2013, është përgjegjës i Departamentit të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore të UT. Është anëtar i shumë organizatave dhe institucioneve profesionale, mes të cilave Anëtar Korrespondent i Archaeological Institute of America, anëtar i Këshillit Shkencor të Zyrës së UNESCO-s në Venezia, Anëtar i Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, Anëtar i Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, anëtar i Këshillit Shkencor Ndërkombëtar të ICOMOS-it për Administrimin e Trashëgimisë Arkeologjike, Kryetar i Shoqatës Arkeologjike Shqiptare.