Kalaja e Prezës mendohet të jetë ndërtuar rreth fillimit të shekullit të 15 -të dhe përfaqëson një tipologji të rëndësishme të fortifikimeve mesjetare feudale, e ndërtuar mbi një kurriz shkëmbor shtufi, material autentik ky i përdorur edhe në ndërtimin e saj.
Me kalimin e viteve, kalaja është përdorur kryesisht për qëllime mbrojtjeje, si një pikë strategjike për të vëzhguar dhe vënë nën kontroll disa nga rrugët dhe qytetet më të rëndësishme ekonomike përreth zonës. Ajo ka qenë gjithmonë e një rëndësie të veçantë për lokalitetin e Prezës dhe banorët e saj, dhe e tillë është ende sot, një destinacion i rëndësishëm historik dhe turistik në zonë, i cili luan një rol të rëndësishëm në ndjesinë e krenarisë dhe identifikimit të qytetarëve vendas me këtë monument.
Tërmeti i Nëntorit 2019 shkaktoi dëme në disa prej aseteve më të vjetra dhe më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Shqipëri. Dëme shkaktoi edhe në Kalanë e Prezës, më saktësisht strukturat e saj më të prekura dhe të dëmtuara ishin kulla e sahatit, kulla pasuese e rrumbullakët dhe muri i ndërmjetëm fortifikues.
Falë mbështetjes financiare nga Fondi Amerikan i Ambasadorëve për Ruajtjen e Kulturës dhe Suedisë, CHwB Albania nën mbikëqyrjen e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, ndërmori projektin e restaurimit të fokusuar posaçërisht në këto struktura të dëmtuara në Prezë, në mënyrë që këtë pasuri piktoreske t’ia kthejë komunitetit dhe vizitorëve të saj. Aktualisht, projekti është në fazën e zbatimit që nga 2 Prilli dhe është planifikuar të përfundojë brenda 6 muajve.
Gjatë planifikimit të ndërhyrjeve, hap fillestar shumë i rëndësishëm ka qenë studimi i ciklit jetësor të monumentit, historisë dhe fazave të ndryshme të ndërhyrjeve ndër vite, në mënyrë që t’i qëndrohet sa më besnik origjinalitetit dhe identitetit të monumentit.
Hapat e projektit të restaurimit:
- Përforcimi i përkohshëm me fasha poliester e binarë druri për ta stabilizuar atë, kur mbi të do të kryhen disa punime mjaft delikate.
- Konsolidimi i muraturës së kullës së sahatit dhe rehabilitimi strukturor përmes niveleve të ndryshme të përforcimit.
- Rindërtimi i elementeve arkitektonik dhe strukturorë të shembur të kullës së sahatit (pjesë të qosheve të muraturës së saj, katër kolonat dhe struktura e çatisë së bashku me shkallët e brendshme prej druri).
- Hulumtimi i terrenit dhe ndërhyrjet përforcuese në nivele të ndryshme të kullës së rrumbullakët, nga themelet deri në murin e sipërm, të rindërtuar me muraturë guri, në mënyrë që të ruhen të gjitha fazat e ndërtimit në të cilat ka kaluar kulla e rrumbullakët.
- Konsolidimi dhe restaurimi i murit fortifikues midis kullave.
Qëllimi kryesor i projektit është restaurimi i monumentit të dëmtuar ndër vite, rehabilitimi i tij duke respektuar autenticitetin dhe origjinalitetin e tij, por njëkohësisht duke menduar në një perspektivë afatgjatë për t`i dhënë atij stabilitet strukturor dhe si rezultat rezistencë ndaj katastrofave të tjera të mundshme natyrore që mund të ndodhin në të ardhmen.