Ndërhyrjet Konservuese dhe Rehabilitimi Strukturor i Teqesë së Dollmës në Krujë, Shqipëri

1Teqeja e Dollmës, listuar si monument i kategorisë së parë në Shqipëri për vlerat e saj arkitektonike, dekorative dhe tipologjike, ofron një peisazh të veçantë për komunitetin lokal të qytetit historik të Krujës, dhe është një asset i rëndësishëm për bashkësinë fetare bektashiane të zonës.

Teqeja e Dollmës është një faltore e vogël monumentale islame me një kube. Faltorja është një konstruksion me një vëllim me bazë katrore, e mbuluar me një kube gjysëmsferike, e cila zbret në katër qoshet e mureve përmes velave. Monumenti përbëhet nga teqeja, si dhe një ndërtesë në të djathtë që shërben për nevojat funksionale të teqesë. Rreth tij gjenden gurë varresh karakteristikë të fesë bektashiane dhe ai që konsiderohet të jetë ulliri i lashtë i Skënderbeut.

Tërmeti i Nëntorit 2019, i cili shkaktoi dëme në disa nga pasuritë më të vjetra dhe më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Shqipëri, preku edhe Teqen e Dollmës, duke dëmtuar kryesisht muret dhe kupolën e saj. Nga materiali arkivor kuptuam se dëmtimet dhe çarjet kryesore ishin të pranishme para tërmetit të vitit 2019, por pas termetit gjendja u përkeqësua, hapjet dhe çarjet u zmadhuan dhe humbjet materiale ishin të konsiderueshme.

Në vitin 2020, CHwB Albania, falë mbështetjes nga Fondi Prince Claus dhe Suedisë, ndërmori punime përforcuese emergjente për të zvogëluar në një periudhë afatshkurtër rrezikun e kolapsit total, ndërkohë që u projektuan dhe planifikuan ndërhyrjet përfundimtare. Në vitin 2021, CHwB Albania, falë mbështetjes nga Fondi i Ambasadorëve për Ruajtjen e Kulturës, ka filluar ndërhyrjet e konservimit dhe rehabilitimit strukturor të Teqesë së Dollmës. Projekti u realizua nga CHwB Albania në bashkëpunim me ekspertë me përvojë konservuese dhe inxhinierë strukturorë. Ekipi i ChwB Albania po monitoron rregullisht ndërhyrjet restauruese me fokus te konservimi dhe cilësia e punimeve. Restaurimi i plotë i Teqesë planifikohet të përfundojë në Mars të vitit 2022.

Ndërhyrjet e deritanishme:

  1. Ka përfunduar vendosja e skelerisë së jashtme
  2. Është ç’montuar pajantimi i brendshëm i përkohshëm
  3. Është ç’montuar struktura prej druri në skajin perëndimor
  4. Është instaluar një mbulesë çeliku e përkohshme
  5. Brenda teqesë janë instaluar skela të reja dhe pajanta druri
  6. Ka përfunduar instalimi i sistemit të monitorimit dixhital