Ndërhyrje Konservuese Emergjente në Kishën e Shën Kollit

Gjatë dimrit të vitit 2012, komuniteti i Voskopojës përjetoi reshje te mëdha bore, gjë  që shkaktoi rrënimin e pjesshëm të çatisë së  Kishës  së Shën Kollit. Kjo është kisha më me vlera  dhe më e plota e pesë kishave të mbetura në Voskopojë, dhe një nga shembujt më të mirë të arkitekturës kishtare ortodokse të shekullit XVIII, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajonin e Ballkanit. Muret e brendshme të kishës janë stolisur me afreske origjinale, pikturuar nga piktori i njohur shqiptar David Selenicasi. Uji depërtonte nëpërmjet çatisë së dëmtuar duke rrezikuar të gjithë strukturën e këtij monumenti të rëndësishëm.

Për të evituar dëmtimin e mëtejshëm  të kishës, CHwB Shqipëri bëri një ndërhyrje emergjente për të riparuar çatinë e shembur. Tri  ishin objektivat kryesore të projektit: i) përmirësimi i gjendjes strukturore të çatisë së dëmtuar; ii) angazhimi në punime i ekspertëve dhe mjeshtërve  vendorë; iii) formulimi i udhëzimeve për mirëmbajtjen e mëtejshme.

Sot, Kisha e Shën Kollit shërben si kishë primare në Voskopojë – njerëzit shkojnë atje për lutjet dhe shërbesat e të dielave, organizojnë dasma apo funerale, marrin pjesë në festime të rëndësishme fetare si Krishtlindjet dhe Pashkët. Ajo qëndron si një testament i bukur i historisë shekullore të këtij vendi.