Kurse Profesionale: Aftësi për Punësimin e së Nesërmes

roof 9Shqipëria ka një koleksion të jashtëzakonshëm të trashëgimisë kulturore të ndërtuar. Vetëm qytetet e Trashëgimisë Botërore të Beratit dhe Gjirokastrës, të shpallura si qytete muze që nga viti 1961, rendisin afërsisht 800 monumente. Në 1962, u krijuan institucione të specializuara të quajtura “atelie konservimi”, përgjegjëse për mirëmbajtjen dhe restaurimin e monumenteve. Këto institucione punësuan mjeshtrit më të aftë. Ato funksionuan deri në fillim të viteve 1990 si shkolla për nxënës të rinj.

Sidoqoftë, aftësitë dhe njohuritë e mjeshtrave artizanë që morën pjesë në këto “atelie”, nuk u njohën zyrtarisht pas viteve 1990. Si rezultat, shumë prej mjeshtarve u lanë jashtë tregut të punës, ndërkohë që papunësia mbetet ende një sfidë në Shqipëri.

Projekti “Aftësi për Punësimin e së Nesërmes”, i cili filloi në dhjetor 2016, ka kontribuar në përpjekjen kombëtare për pasurimin e tregut shqiptar të punës me punëtorë të aftë (përfshirë të rinjtë dhe emigrantët e kthyer nga vendet e BE), të specializuar në fushën e konservimit të trashëgimisë kulturore. Përmes programit të tij, ai ka ofruar një trajnim të plotë teorik dhe praktik në teknikat tradicionale të punës së drurit, gurit dhe suvasë, në qytetet kryesore historike, përkatësisht në Qytetet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Berat dhe Gjirokastër dhe në qytetet historike të Korçës dhe Durrësit.

Nga dhjetori 2016 deri në dhjetor 2020, janë zbatuar 5 module trajnimi të kurseve profesionale në riparimet tradicionale, duke çuar në trajnimin dhe çertifikimin e më shumë se 200 praktikantëve dhe mjeshtërave artizanë. Gjatë komponentit praktik të trajnimit, janë zbatuar një seri projektesh të mëdha të restaurimit (Banesa Duhanxhiu në Berat, Banesa Çabej në Gjirokastër dhe Banesa Frashëri në Korçë), si dhe janë kryer edhe punime dhe ndërhyrje më të vogla, duke u dhënë mundësi kursantëve të fitojnë aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të punuar me ndërtesat historike dhe materialet tradicionale.

Përveç këtyre komponentëve, janë bërë përpjekje për të rritur vlerën e aftësive tradicionale edhe në nivelet e rregullatorëve institucionale. Së pari, kurrikula e trajnimit për mjeshtëritë e e gurit, suvasë dhe drurit në ndërtesat tradicionale, është azhornuar dhe përshtatur sipas standardit kombëtar të çertifikimit, falë bashkëpunimit me Agjencinë Kombëtare të Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve. Kurrikula e trajnimit përfshihet tashmë brenda kornizës kombëtare të kualifikimeve dhe lejon që Qendrat e Formimit Profesional Publik në të gjithë vendin, të mund të zbatojnë plotësisht trajnimin në mënyrë të pavarur.

Në vijim, CHwB Albania, në bashkëpunim të ngushtë me Institutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore në Tiranë, ka punuar për të siguruar zbatimin praktik të akteve nënligjore të ligjit të Trashëgimisë Kulturore, duke specifikuar një kusht të vendosur rishtas për licencimin e kompanive restauruese. Në Shkurt 2019, CHwB dorëzoi dokumentacionin për aktin nënligjor, ku përfshihej edhe kushti që kompanitë e liçencuara në fushën e konservimit, të punësojnë ndihmës-mjeshtra të çertifikuar. Kjo u pranua nga Ministria e Kulturës dhe u përfshi në grupin e akteve nënligjore shtesë të propozuara në ligjin e ri të Trashëgimisë Kulturore. Ende nuk kemi një konfirmim nëse këto akte nënligjore janë në fuqi, por është shumë e rëndësishme që kjo rregullore të zbatohet si duhet, pasi siguron punësimin në të ardhmen të të gjithë personave të çertifikuar.

Si përfundim, Mjeshtrat e çertifikuar në trajnimin e Mjeshtërive Tradicionale të Ndërtimit, përmes programit Aftësi për Punësimin e së Nesërmes, u çertifikuan nga Dhoma Kombëtare e Zejeve, përmes një ceremonie të mbajtur në Shkurt 2020. Kjo ngjarje shënoi fillimin e një procesi unifikimi për sistemin e çertifikimit, i cili do të jetë i vlefshëm për njohjen e aftësive dhe mundësive të punësimit për mjeshtrit vendas.

Statistika:

5 module trajnimi në qytetet kryesore historike të Shqipërisë (Durrës, Gjirokastër, Berat dhe Korçë)

  • Certifikimi i 230 personave (18 mjeshtëra artizanë dhe 212 praktikantë)
  • Kurrikulat e trajnimit brenda kornizës kombëtare të kualifikimeve