Qëllimi fillestar i Kampeve Rajonale të Restaurimit, ka qenë të mbledhë së bashku profesionistë të rinj nga Ballkani Perëndimor dhe t’u ofrojë atyre udhëzime praktike për aplikimin e materialeve dhe teknikave tradicionale në projektet e restaurimit / konservimit. Respekti reciprok për trashëgiminë kulturore është i rëndësishëm për ndërtimin e paqes në çdo shoqëri. Prandaj, në Kampet Rajonale të Restaurimit është rrënjosur thellë përdorimi i trashëgimisë kulturore për ndërtimin e marrëdhënieve mes profesionistëve, si një mjet për promovimin e harmonisë nëpërmjet respektit, mirëkuptimit dhe besimit të ndërsjelltë midis njerëzve.
Kampi i Parë Rajonal i Restaurimit u zhvillua në 2007 në qendrën historike të Gjirokastrës, një vend i listuar në Trashëgiminë Botërore të UNESCO-s. Që nga ajo kohë, CHwB ka organizuar dyzet e shtatë Kampe Rajonale të Restaurimit. Vit pas viti, organizimi i këtyre kampeve është përkrahur dhe mbështetur nga disa institucione arsimore dhe kampet tani po akreditohen si pjesë e studimeve të detyrueshme në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës.
Gjatë këtyre katërmbëdhjetë viteve, Kampet Rajonale të Restaurimit janë rritur dhe zgjeruar në rrugëtimin e tyre edukativ. Për këtë arsye, CHwB i ka ndarë Kampet në zona tematike, secila prej të cilave u mëson pjesëmarrësve aftësi dhe përvoja të ndryshme për ruajtjen e trashëgimisë:
- Konservimi arkitektonik dhe interpretimi
Konservimi arkitektonik ka shërbyer si thelbi i kampeve që nga viti 2007. Leksionet e zhvilluara gjatë kampit në secilin vend, mbulojnë tema të ngjashme, që përfshijnë materialet dhe metodat e konservimit, dokumentimin e objektit, analizat e vlerave të objekteve dhe interpretimin e trashëgimisë. Sidoqoftë, puna praktike në secilin Kamp ndryshon, dhe atmosfera e secilit vend është gjithnjë unike.
- Konservimi dhe interpretimi i objekteve muzeale
Konservimi i artefakteve muzeale filloi me një partneritet të gjatë me organizatën me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, Heritage without Borders (Trashëgimia pa Kufij). Sot, konservues të mirënjohur ndërkombëtarë vijnë për të ndarë njohuritë e tyre të gjera me pjesëmarrësit. Ky Kamp mbulon tema të tilla si konservimi paraprak, parimet dhe metodat e dokumentimit të objekteve, rijetëzimi i objekteve muzeale përmes interpretimit, etj
- Interpretimi dinamik i trashëgimisë
Interpretimi është një specializim në rritje brenda fushës së muzeologjisë dhe trashëgimisë, që ndihmon kuratorët e muzeut dhe menaxherët e siteve të komunikojnë më mirë tek vizitorët vlerën e trashëgimisë. Leksionet dhe aktivitetet gjatë kampit përfshijnë tema të tilla si parimet dhe teoria e interpretimit, dizenjimi universal, identifikimi i audiencës së synuar, të kuptuarit dhe të punuarit me këndvështrime të shumta dhe histori të vështira, të punuarit me komunitetin, interpretimi dixhital, dinamika e ekipit dhe tematika të tjera.
- Mjeshtëritë artizanale historike dhe sipërmarrjet
Shumë pazare në vende historike po përballen me nevojën për të përmirësuar kushtet për artizanët vendas, ndërkohë që zgjerojnë gamën e produkteve tradicionale që tërheqin vizitorin e sotëm, duke e zgjeruar kështu tregun. Pjesëmarrësit e kampeve, së bashku me artizanët, mësojnë më shumë për këto sfida dhe shohin si t’i adresojnë ato duke përdorur mendimin prej sipërmarrësi dhe idete inovatore për biznesin.
Meqënëse patën sukses në Shqipëri, kampet Rajonale të Restaurimit u zgjeruan si në vendndodhje ashtu edhe në përmbajtje. Deri më sot, kampe janë zhvilluar në Bosnjë & Hercegovinë, Kosovë, Serbi, dhe në Shqipëri.
Në mirënjohje të përkushtimit dhe përsosmërisë të tyre, Kampet Rajonale të Restaurimit të CHwB-së, fituan çmimin prestigjioz të BE-së për Trashëgiminë Kulturore / Çmimin ‘Europa Nostra’ për vitin 2014, në kategorinë e “Edukimit, Trajnimit dhe Rritjes së Ndërgjegjësimit.”
Statistika për Kampet
- 47 Kampe Rajonale të Restaurimit të organizuara në periudhën 2007-2019
- 1111 Pjesëmarrës nga më shumë se 26 shtete
- 12 Vendndodhje kampesh në 4 shtete
- 11 Plane biznesi të hartuara
- 12 Strategji interpretimi të zhvilluara
- 121 Ndërhyrje restauruese të ndërmarra
- 144 Objekte muzeale të konservuara
- 60665.5 Ore punësh praktike
*total deri në dhjetor 2019
Për më shumë informacione, shkarkoni versionin e fundit të Camps Guide (anglisht).