Babameto, Monument Kulture i Kategorisë së Parë, Restaurim dhe Rijetëzim

13268438353_58104691df_b

Banesa madhështore e  Babametove  është pjesë e rëndësishme e peizazhit urban-arkitektonik të Gjirokastrës dhe në qendër të zonës së mbrojtur, pjesë e trashëgimisë botërore. I braktisur plotësisht pas vitit 1997, ky monument i kategorisë së I-rë degradoi shumë shpejt dhe u fut në listën e prioriteteve për ndërhyrje restauruese. Me investime shtetërore në vitin 2004, u rindërtua çatia e banesës si dhe pjesë të tjera të rrënuara, por këto ndërhyrje nuk ishin të mjaftueshme dhe banesa mbeti edhe pas kësaj në një gjendje shumë të keqe, deri ne fillimin e punimeve restauruese nga CHwB – Shqipëri. Qëllimi kryesor i këtij projekti ishte restaurimi i plotë i monumentit dhe kthimi i  hapësirave  që ai ofronte në shërbime hotelerie, por edhe për aktivitete të tjera publike (hapësira për seminare dhe ekspozita).

Si një element kryesor i zonës më të gjerë të pazarit të Gjirokastrës, restaurimi i shtëpisë së Babametove ka sjellë një lëvizje të re në këtë zonë tregtare – duke plotësuar  një kompleks më të gjerë arkitektonik ku përfshihen dhe ndërtesa të tjera me vlera si  xhamia, amfiteatri, dhe kinemaja. Ndërtesa tani funksionon si bujtinë për vizitorët e qytetit, por edhe për pjesëmarrësit e Kampeve të Restaurimit të organizuara nga CHwB – Shqipëri. Muret rrethuese të banesës janë restauruar nga pjesëmarrësit e Kampeve, duke ofruar kështu për studentët e arkitekturës dhe profesionistët e rinj  një përvojë praktike mbi teknikat tradicionale të ndërtimit të muraturave të gurit. Sot, banesa Babameto qëndron si një model i qëndrueshëm i praktikave të menaxhimit të trashëgimisë kulturore.