UEBFAQJA ËSHTË NË PËRPUNIM E SIPËR

Aug 05 - 2020

FUSHAT KREATIVE – HERITAGE SPACE V

Rrëfim dhe interpretim

 Të vendosura së bashku, rrëfimi dhe interpretimi luajnë një rol të rëndësishëm në ndryshimin e mënyrës së qasjes, përvojës dhe komunikimit të trashëgimisë kulturore. Përkundër detajeve faktike, rrëfimi dhe interpretimi fokusohen në njerëz, në të kaluarën dhe lidhjen me vendin, dhe si të tilla, shpalosin tregimet njerëzore që qëndrojnë pas trashëgimisë së përbashkët.

Rrëfimi dhe interpretimi mund të përfshijnë: histori individuale dhe kombëtare të ruajtura dhe rrëfyera si tregime, narrativa të bazuara në fakte mirë të hulumtuara, dije lokale dhe thashetheme, përralla, mite, legjenda, fjalë-goje, që në përgjithësi, përmes mediumeve të ndryshme shpalosin perspektiva që kanë për qëllim të argëtojnë, edukojnë, ruajnë dhe pasurojnë kulturën tonë të përbashkët. 

Digjitalizimi i trashëgimisë

Me një shkallë në rritje të depërtimit të internetit në mbarë botën prej 59%, dhe me një normë vendore prej mbi 95%, digjitalizimi ka marrë një rol kyç në dhënien e mundësisë për qasje në informacion. Për më tepër, përgjatë pandemisë aktuale globale, rënja drastike e mundësive për qasje në burime kulturore (mbi 90% e muzeve në të gjithë botën janë mbyllur përkohësisht), ka prodhuar një nevojë të theksuar për proceset siç janë digjitalizimi dhe ruajtja digjitale.

Digjitalizimi dhe qasja online ofrojnë komunikim dhe promovim më të madh të koleksioneve të ndryshme të muzeve, librarive dhe arkivave. Krahas tërheqjes së vizitorëve, turistëve dhe hulumtuesve, kjo gjithashtu tërheq edhe bizneset deri tek ekonomitë rajonale. Me trendet e fundit të rritjes së aktiviteve online, nëpër muze dhe institucione tjera kulturore, mundësia për komunikim me publik më të gjerë ka arritur pikën më të lartë në historinë e vet përmes digjitalizimit të praktikave të ruajtjes së trashëgimisë.

 Trashëgimia e errët 

Shumë nga shoqëritë bashkëkohore jetojnë me plagë të historisë që vijnë nga lufta, trazirat civile dhe nga dhuna sistematike shoqërore që nxisin armiqësi etnike dhe diskriminim racor.

Këto periudha të errëta në histori dhe trashëgimia që ato mbartin në shoqërinë e sotme, përfaqësohen përmes hapësirave të ndryshme, siç janë: vendet e masakrave apo varrezat masive,  vendet që lidhen me të burgosurit e luftës dhe të burgosurit politik, memorialet dhe vendet përkujtimore. Këto jane vende që mund të sjellin dhimbje nga e kaluara për viktimat dhe turp për përdhunuesit për dhunën dhe ideologjitë që ata kanë përfaqësuar.

Prandaj, duke eksploruar nocionin e trashëgimisë së errët, ne synojmë të zgjerojmë interpretimin e hapësirave të caktuara qe reprezentojnë te kaluarën e dhunshme dhe përvojat që shpalosim të kaluarën e errët, nga perspektiva bashkëkohore. 

Arkivimi i së përkohshmës: Praktikat e dokumentimit në kohë reale

Arkivat janë sisteme të kujtesës kolektive. Gjithashtu, ato luajnë rol në formimin e kolektiviteteve kulturore të së ardhmes. Si ta akrivojmë atë që është e përkohëshme apo kalimtare? Si do ta bartim dijen e realitetit pandemik tek gjeneratat e ardhshme? Arkivimi i së përkohshmës: Praktikat e dokumentimit në kohë reale hulumton projekte arkivore të cilat mund të jenë prodhuar në kontekste të jetës së përditshme, që regjistrojnë tipare të përkohshme të mjedisit fizik, dhe kanë parasysh rrezikun e zhdukjes nga kujtesa kolektive.

Kjo fushë mund të përfshijë arkiva të reprezentuara në – dhe të mbledhura përmes – punëve kreative: praktika të vetë-dokumentimit, memoare, shkrime kreative jo-fiktive, ditarë vizuel, arte performuese, instalacione artistike, dhe arkiva hibride që ngërthejnë objekte materiale dhe gjithashtu adresojnë praktika që janë zhdukur për shkak të, dhe përtej pandemisë. Si përmbledhje, praktika të dokumentimit në kohë reale që krijojnë vlerë të shtuar dhe kontribuojnë drejtë asaj që mund të cilësohet si trashëgimi në të ardhmen.

 


Previous Post


Aug 05 - 2020

NJIHUNI ME MENTORËT - HERITAGE SPACE V