Përzgjedhen objektet tradicionale për bujtina në Rahovec

Komuna e Rahovecit, e njohur në Kosovë e më gjerë për kultivimin e rrushit dhe prodhimin e verës e bashkë me bukuritë mbresëlënëse të natyrës e trashëgiminë e pasur kulturore, ka potencial të madh për zhvillimin e turizmit. Si një destinacion turistik në zhvillim, qyteti ka nevojë për shërbime të nevojshme që do të çojnë në rritje ekonomike.

BnB Rahovec home

Më 25 Shtator 2014 në ambientet e Komunës së Rahovecit u mbajt takimi i jashtëzakonshëm i Forumit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Rahovecit. Në këtë takim u diskutua rreth projektit “Konvertimi i shtëpive tradicionale në bujtina”, më konkretisht rreth përzgjedhjes së shtëpive të cilat do të konvertohen në bujtina shtrat dhe mëngjes (bed and breakfast).

Për të ardhur deri në procesin e përzgjedhjes së këtyre shtëpive janë kaluar edhe disa etapa të domosdoshme për këtë projekt. Etapa e parë është njoftimi i qytetarëve të Rahovecit për këtë intervenim. Ky lajmërim u krye nga komuna e Rahovecit dhe nga Qendra e Turizmit në bashkëpunim me Qendrën Rinore. Lajmërimi përfshinte informacion mbi projektin, kushtet për aplikim dhe vetë formularin e aplikimit. Aplikimet u dorëzuan në zyrat e komunës së Rahovecit. Një mënyrë tjetër e aplikimit ka qenë dhe ajo online me anë të lajmërimit në faqen internetit të komunës së Rahovecit dhe të CHwB Kosovës.

Kësaj thirrjeje iu përgjigjen shtatë pronarë të ndërtesave tradicionale. Të gjithë aplikantët i plotësonin kushtet për aplikim por duke u bazuar në buxhetin e paracaktuar dhe kriteret përzgjedhëse forumi përzgjodhi dy shtëpi për tu përshtatur në bujtina. Kriteret përzgjedhëse janë publikuar së bashku me formularët për aplikim. Shtëpitë e përzgjedhura janë: Shtëpia e Fehmi Kadriut dhe e Sadedin Bugarit. Të dyja këto shtëpi ndodhen në qendër të qytetit të Rahovecit dhe mbartin në vetë vlerat dhe bukuritë e kohës kur janë ndërtuar. Të dyja këto shtëpi janë në gjendje të mirë strukturore dhe përshtatja e tyre mund të bëhet brenda buxhetit të paracaktuar.

Pas procesit të përzgjedhjes së këtyre shtëpive nga Forumi Lokal i Trashëgimisë Kulturore të Rahovecit do të vazhdohet me përpilimin e projektit të adaptimit e më pas me implementimin e punimeve të përshtatjes në këto dy shtëpi. Në  fund të procesit është paraparë që të prodhohet një broshurë informuese për këto 2 shtëpi në mënyrë që të promovohen sa më shumë në komunë e më gjërë.

Ky projekt është një nga prioritetet e Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Rahovecit. Ky plan është pjesë e Programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore 2012-2015 të hartuar nga CHwB, Komuna e Rahovecit dhe institucione tjera të nivelit qendror. Për më shumë informata rreth këtij programi klikoni këtu.

Lajmet e fundit