Rikthehet tradita e kërcimeve nga Ura e Fshejt

Më 10 gusht 2014, pas tre vitesh mungese, në një lartësi mesatare prej 18 metrash në urën që ngrihet mbi rrjedhën e lumit Drin të rrugës Gjakovë-Prizren, janë mbajtur garat tradicionale të kërcimeve nga Ura e Fshejt.

Foto kercimet 1 Foto kercimet 2

Kërcimet nga Ura e Fshejt e veçojnë traditën dhe ndërlidhjen e njerëzve të Rrafshit të Dukagjinit me ujin dhe natyrën dhe si aktivitet i tillë ka krijuar për vite të tëra emër dhe respekt, duke joshur edhe garuesit jashtë kufijve të Kosovës.

Garat më të mëdha të këtij lloji në rajon dhe të tretat për nga rëndësia dhe specifika e tyre, pas atyre në Akapulko e Meksikës dhe atyre të Mostarit të Bosnje Hercegovinës, këtë vit ka tubuar një numër të madh të garuesve dhe entuziastëve të këtij sporti ekstrem. Si asnjëherë në 15 vitet e fundit, rreth 7.000 spektatorë dhe 25 garues (9 në kërcim dallëndyshe dhe 16 në kërcim në këmbë), i kanë dhënë kësaj gare epitetin e një spektakli të vërtetë.

Garat e datës 10 gusht 2014, u hapën me mirënjohje dedikuar figurave të njohura që e mbajtën gjallë traditën e kërcimeve nga Ura e Fshejt, duke filluar nga personalitetet që u nderuan post-mortum: Ali Podrimja, Mehdi Kryeziu, Hilmi Musa, Besim Mulliqi e Ruzhdi Jakupi. Gjithashtu me mirënjohje u nderuan legjenda e gjalla të këtij aktiviteti si: Kujtim Gorani, Gonxhe Xhiha (femra e vetme që ka kërcyer në stilin dallëndyshe), Avdyl Osmani, Shefqet Vokshi, etj.

Epiteti i më të mirit në stilin dallëndyshe i takoi veteranit katër vjeçar të kësaj gare, Sali Riza Gërqina me 59.5 pikë përderisa në kategorinë e kërcimeve në këmbë, nga 16 garues pjesëmarrës epiteti i më të mirit i takoi të riut 16 vjeçar David Tuqi me 57.5 pikë. Këshilli Organizativ i kërcimeve, me qëllim të masivizimit të kësaj gare dhe rritjes së interesimit te të rinjtë për t’u marrë më këtë sport, shpërbleu edhe garuesin më të ri, e kësaj radhe kupa shkoi ne duart e 15 vjeçarit Arlind Shala.

Foto kercimet 3

Foto kercimet 4

Foto kercimet 5

Pas tre vitesh mungese, kjo ishte hera e parë që organizohen gara e Kërcimeve nga Ura e Fshejt, të cilat vitin e ardhshëm synohet të ndërkombëtarizohet, pas kontakteve të vëna me garues nga Bullgaria, Hungaria, Kroacia, Maqedonia dhe Rumania.

Projekti është zbatuar nga OJQ Time Out, i cili pos aktivitetit në fjalë, gjatë ditës ka organizuar një ekspozitë me disa prej fotografive më të bukura të realizuara ndër vite në garat e Kërcimeve nga Ura e Fshejt. Për më tepër, ky aktivitet pos bujës në mediet vendore ka vendosur Kosovën në qendër edhe të shumë medieve ndërkombëtare. Shih raportin.

Ky projekt është pjesë e iniciativës “Ditët e Kulturës në Gjakovë” që do të mbahet gjatë vitit 2014 dhe bashkëfinancohet nga CHwB Kosova, Komuna e Gjakovës dhe partnerë tjerë. Ky projekt është identifikuar në kuadër të Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Gjakovës e cila është hartuar në  kuadër të programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore 2012-2015 në 7 komuna të Kosovës. Për më shumë informata rreth këtij programi klikoni këtu.

 

Lajmet e fundit