Tour de Culture 2016 me fokus në trashëgimi natyrore

Më 25 Shtator të dielën, rreth 500 çiklistë nga mbarë Kosova iu përgjigjën ftesës së Tour de Culture 2016 që këtë vit kishte fokusin në trashëgiminë natyrore. Edicioni i nëntë i Tour de Culture, aktivitetit unik në Kosovë që kombinon parimet e Ditëve të Trashëgimisë Evropiane dhe Javës së Lëvizshmërisë Evropiane, filloi në shpellën e Radacit dhe burimin e Drinit të Bardhë të komunës së Pejës duke vazhduar në lokalitetin arkeologjik të Dresnikut dhe përfunduar në ujëvarën e Mirushës në komunë të Klinës.

Në START pjesëmarrësit patën mundësinë që të vizitojnë Shpellën e Radacit nën përcjellje të shoqatës së shpellës “Bukuroshja e Fjetur”. Shpella e Radacit ndodhet vetëm 11 kilometra larg qytetit të Pejës dhe tani për tani mund të vizitohet shtegu prej 300 metra. Mendohet se i gjithë shtegu është 2.1 kilometra. Sipas hulumtimeve, Shpella e Radacit ka qenë e banuar të paktën që nga koha e Neolitit, përkatësisht rreth 6000 vjet më parë. “Bukuroshja e fjetur”, siç njihet kjo shpellë përbëhet nga një rrjet i tuneleve, kanaleve, galerive dhe sallave, të gdhendura për mrekulli nga forcat natyrale të ujit përgjatë shekujve. Jo fort larg nga kjo shpellë buron lumi i Drinit të Bardhë, një kryevepër e natyrës.

tdc-16-a-2tdc-16-atdc-16-a-3tdc-16-a-1

Në ndalesën e parë çiklistët nën tingujt e sintisajzerit dhe kitarës nga Anyla Berisha dhe Visar Kuqi e në përcjellje të arkeologut Elvis Shala vizituan lokalitetin arkeologjik të Dërsnikut. Ky fshat i cili gjendet në komunën e Klinës, fshihte një sekret të lashtë nën tokën e tij – një mozaik që mendohet të jetë pjesë e një Municipumi Romak. Mozaiku shumëngjyrësh është një nga gjetjet më të rëndësishme në Kosovë në katër dekadat e fundit. Lokaliteti i kohës romake në Dërsnik është zbuluar në vitin 2012 nga arkeologët kosovar. Deri më tani janë identifikuar disa struktura ndërtimore që supozohet të jenë pallate dhe vila të rrethuar me mur fortifikues. Në njërën prej strukturave është identifikuar edhe mozaiku me sipërfaqe me rreth 200 m², më i madhi i gjetur në Kosovë.

14445089_1249299398435223_7474106661510397010_o14409917_1249303441768152_216602160569252867_o tdc-16-b-1 tdc-16-b-2

FINISHI i turit të sivjemë u bë pas 46,8 kilometrave në një nga perlat e trashëgimisë natyrore të Kosovës, ujëvarën e Mirushës. Këtu pjesëmarrësit patën rastin të shijojnë performancën por edhe të provojnë ngjitjen nëpër shkëmbinj të ujëvarës me ndihmën e grupit profesional të aplinistëve të “KAP-Klubit Alpin Prishtina”, duke u argëtuar nën tingujt e muzikës elektronike të DJ-it Uran B. Rrjedha e Ujëvarës së Mirushës kalon nëpër tre komuna: atë të Rahovecit, Klinës dhe Malishevës. Përveç peizazheve dhe morfologjisë së saj të bukur, gryka po ashtu është magjepsëse për shkak të 16 liqeneve dhe 13 ujëvarave të formave dhe lartësive të ndryshme, të cilat gjenden në rrjedhën e lumit. Në vitin 1983 një pjesë e lumit Mirusha, ku gjendet edhe gryka, është shpallur Park regjional natyror. Në listën e fundit të Trashëgimisë Kulturore për Mbrojtje të përkohshme të MKRS-së është evidentuar si Pejzash Kulturor.

tdc-16-014424740_1249308671767629_5501643160425269042_oali_150814480673_1249313551767141_604222996428263757_otdc-16-d

Tour de Culture 2016 është organizuar nga CHwB Kosova e cila edhe e ka financuar atë përmes fondeve të Suedisë. Projekti është përkrahur financiarisht edhe nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë. Kontribut të çmuar në projekt kanë dhënë edhe kompanitë vendore (Vala, Buka, Rugova, Pilot Bike), Spitali ‘Istanbul Medicine’, Ministria e Kulturës, Rinisë e Sporteve, Policia e Kosovës dhe Shoqata Shpella Radacit “Bukuroshja e Fjetur”.

Për broshurën e Tour de Culture 2016 klikoni këtu.

Për galerinë e plotë të fotografive të Tour de Culture 2016 klikoni këtu.

Për më shumë informata rreth projektit dhe edicioneve të kaluara klikoni këtu.

Lajmet e fundit