TOUR DE CULTURE 2014: një rrugëtim i gjatë përplot kënaqësi

Më 28 Shtator 2014, mëngjesin e së dielës, më shumë se 500 pjesëmarrës iu përgjigjën ftesës për promovim të trashëgimisë sonë të përbashkët natyrore dhe kulturore, transportin e jo-motorizuar dhe mbrojtjen e mjedisit. Edicioni i shtatë i Tour de Culture, aktivitetit unik në Kosovë që kombinon parimet e Ditëve të Trashëgimisë Evropiane dhe Javës së Lëvizshmërisë Evropiane, u mbajt në komunën e Vushtrrisë dhe Podujevës. Turi u përkrah me mbi 60 vullnetarë dhe grumbulloi pjesëmarrës nga shtatë qytete kryesore të Kosovës, duke shtuar edhe ata nga dy komunat nikoqire të aktivitetit.

TdC14 result 01

START-i i turit është bërë nga Kalaja e restauruar e Vushtrrisë e cila së voni është hapur për publik. Pjesëmarrësit e turit patën mundësi të shijojnë ekspozitën dhe video projeksionin rreth projektit të konservimit dhe restaurimit të kalasë. Mysafirë nga tërë Kosova shijuan tingujt e kuartetit Pentagram dhe vallet e grupit tradicional lokal të Vushtrrisë. Për më tepër, grupe të nxënësve të Vushtrrisë nën përcjellje të mësuesve, patën rastin që të mësojnë mbi rregullat e trafikut dhe përparësive të vozitjes së biçikletës.

TdC14 result 02 TdC14 result 04

TdC14 result 05

TdC14 result 06

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, z.Barjam Mulaku dhe shefi i CHwB në Kosovë, z.Sali Shoshi me një fjalë rasti dhe mirëseardhjeje shënuan fillimin zyrtar të turit të këtij viti. Për të dëshmuar që ky aktivitet njëmend është i hapur për të gjithë, turit i prinë personat me aftësi të kufizuara në karroca, të cilët parakaluan vetëm një pjesë të turit dhe me transport të veçantë e përcjellën turin në të gjitha ndalesat deri në FINISH.

Shtegu i këtij viti përfshiu afërsisht 50 kilometra, dhe duke marrë parasysh që aktiviteti është  hapur edhe për profesionistë e amatorë grupi ishte edhe nën përcjellje të policisë, autoambulancës dhe mekanikëve të çiklistëve. Në mes të këtij shtegu relativisht të gjatë pati dy ndalesa ku pjesëmarrësit kanë pushuar dhe janë shërbyer me ushqim, pemë, perime, ujë dhe pije freskuese.

TdC14 result 07 TdC14 result 08 TdC14 result 09 TdC14 result 10

FINISH-i i turit u bë nën rrezet e diellit dhe muzgun e mrekullueshëm të liqenit të Batllavës. Si një trofe për kilometrat e kaluar për të gjithë pjesëmarrësit, bendi Jericho nga Prishtina mbajti një performancë energjike. Muzika e Jericho-s është një shkrirje mes rokut, alternativës, elektronikës dhe muzikës tradicionale etnike shqiptare.

Tour de Culture, që në vitin 2014 është organizuar për të shtatin vit me radhë, tenton të zbulojë çdo vit një cep të vendit tonë, duke u shëndrruar kështu në një traditë atraktive për shoqërinë kosovare. Këtë vit, CHwB Kosova në implementim është përkrahur edhe nga OJQ të ndryshme lokale. Në marrëveshje me CHwB, këto organizata prej vitit në vijim, do të tentojnë të zgjerojnë turin në regjione të ndryshme të Kosovës dhe atë përgjatë tërë vitit.

TdC14 result 11 TdC14 result 12a TdC14 result 12b TdC14 result 13 TdC14 result 14

Tour de Culture 2014 është organizuar nga CHwB Kosova e cila edhe e ka financuar atë përmes fondeve të Suedisë. Projekti është përkrahur financiarisht edhe nga Projekti i Përbashkët i Bashkimit Evropian / Këshillit të Evropës “Përkrahja për Promovimin e Diversitetit Kulturor”, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë. Aktiviteti ka gjetur përkrahje edhe nga OJQ të ndryshme, mediet, bizneset lokale përfshirë këtu edhe dy komunat nikoqire.

Për broshurën e Tour de Culture 2014 klikoni këtu.

Për galerinë e plotë të fotografive të Tour de Culture 2014 klikoni këtu.

Për më shumë informata rreth projektit dhe edicioneve të kaluara klikoni këtu.

Lajmet e fundit