“Heritage Space është inspirim…”

 

Gjatë muajit korrik të vitit të kaluar u lansua për herë të parë platforma eksperimentale Heritage Space. Në edicionin e parë, krijuesit e rinjë patën mundësinë me anë të industrisë kreative të kontribuojnë në ngritjen e vlerave të trashëgimisë kulturore. Platforma synon që t’i thej disa barriera dhe kufizime në përfshirjen e njerëzve në trashëgiminë kulturore. Tradicionalisht, trashëgimia kulturore është parë si punë ekskluzive e eksperteve, mirëpo, sot ajo perceptohet përtej dimensionit të saj ‘për ndërtesat e vjetra’. Ajo përfaqëson mënyrën e jetesës dhe duhet të jetë e lidhur ngushtë me shprehitë tona ditore. Gjashtë përfitues hulumtuan, testuan dhe zhvilluan idetë e tyre duke pasur mundësinë t’i realizojnë ato.Screen Shot 2017-03-30 at 10.00.45 AM

Anyla Berisha është përfituesja e parë e kësaj platforme – autore e projektit “Haptic Space”. Anyla, së bashku me muzicientin e njohur Visar Kuçin arritën të interpretojnë jo vetëm historinë por edhe përmbajtjen hapësinore të Muzeut Etnologjik të Prishtinës, duke përdorur TINGULLIN si medium kryesor. Me kërkesë të drejtorit të muzeut, ky instalim është pjesë e Muzeut Etnologjik të Prishtinë. Vizitorët përtej teksteve historike dhe tregimit narrativ të ciceronit, që nga nëntori i vitit të kaluar kanë mundësinë të përjetojnë ndërtesën dhe historinë e saj përmes tingujve, zërave, muzikës tradicionale etj.

Pas lansimit të projektit “Haptic Space” duke parë që përjetimi i Muzeu Etnologjik me pamje 360 shkallë do të ishte vlerë e shtuar për këtë instalim, Petrit Ibrahimi ishte përfituesi tjetër i Heritage Space. Petriti ka aplikuar me idenë për shëtitje virtuale apo pamje 360 shkallë të ndërtesave historike. Përveç pamjeve 360°, gjatë kësaj shëtitje virtuale do të ketë informata për funksionin e kthinave të muzeut, eksponatet dhe informata tjera, të gjitha këto të përcjella nën tingujt e “Haptic Space”. Shumë shpejt ky produkt do t’i dorëzohet Muzeut dhe do të jetë i qasshëm për publikun.

Mendim Avdyli ka aplikuar me idenë për krijimin e një platforme online ku qytetarët kanë mundësi të raportojnë për ndërtesat historike që janë në rrezik. Paralelisht, Fondacioni Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB Kosova) në bashkëpunim me organizatën EC Ma Ndryshe, kanë analizuar gjendjen fizike të 870 aseteve të trashëgimisë kulturore në Kosovë. Si rezultat i hulumtimit është krijuar kjo platformë digjitale, e cila përmban Listën e aseteve të trashëgimisë kulturore në rrezik – Lista e Trashëgimise në Rrezik.

Barış Karamuço duke e parë që shumë tregime në vendlindjen e tij – Prizreni, po mbesin vetëm ne memorien e të moshuarve e kur ata s’do të jenë më, do të marrin edhe kujtimet me vete, vendosi  të aplikojë në Heritage Space me projektin “Memory Bank”.

“Memory Bank” ka për qëllim mbledhjen dhe regjistrimin e memories kolektive të Prizrenit. Për të kuptuar cili ishte kafiqi i parë, DJ i parë dhe Disko e parë në Prizren ndiqni këtë dy video.

Arben Llapashtica ka ka aplikuar në Heritage Space me idenë për dizajnimin e një katalogu të trashëgimisë kulturore. Kjo ide, sipas tij është njëra prej përpjekjeve për ta kthyer vëmendjen e publikut në disa lokalitete të trashëgimisë kulturore e natyrore përmes fotografive si dhe të vihet theksi në potencialit e tyre. Ky katalog së shpejti do të publikohet për publikun.

 

Së shpejti pritet thirrja për edicionin e radhës në Platformën Heritage Space.

Lajmet e fundit