Strategjia e funksionalizimit të Çarshisë së Gjakovës

Ansambli urbanistik i Çarshisë së Madhe në Gjakovë daton nga shek. XVI i periudhës osmane dhe përmban 525 objekte të rëndësishme. Njihet si çarshia më e madhe në Evropën Juglindore. Ka kryer funksionin e zejtarisë, tregtisë dhe administratës qendrore të asaj kohe. Sot është kompleks kulturo-historik, turistik, zejtar dhe tregtar. Të gjitha ngjarjet që lidhen me qytetin e Gjakovës lidhjen e kanë me zhvillimin e Çarshisë së Madhe. Karakteristikë arkitektonike është ndërtimi i saj. Stili i ndërtimit është tradicional, me material vendas: gurë, dru, qerpiç, qeramidhe e vjetër, plumb, etj.

Më 1999, prej tyre u dogjën 431 objekte, me të gjitha përmendoret kulturore historike tjera në të. Pjesa më e madhe e saj u ringjall pas lufte falë investimeve private dhe ndihmës së organizatave ndërkombëtare, përderisa edhe mbi 50 objekte të tjera, akoma të pa rindërtuara, janë në pritje të vullnetit dhe ndihmës së donacioneve. Për momentin, edhe përkundër investimeve jo të vogla në rindërtimin e objekteve të kompleksit, një pjesë e madhe e tyre janë jashtë funksionit adekuat. Deri më tash janë marrë disa iniciativa për ngjalljen e tërësishme të kësaj zone, të cilat fatkeqësisht kanë përfunduar pa ndonjë rezultat.

Gj strategy AGj strategy BÇarshia e madhe e Gjakovës gjatë historisë dhe sot (Fotot – Sipër: M.Kurti, Shkelzen Rexha; Poshtë: Venera N.Lekaj – Lela)

Në fillim të këtij viti, zyra e CHwB në Kosovë në bashkëpunim me partnerë të institucioneve të nivelit lokal dhe atij qendror kanë filluar së hartuari strategjinë e funksionalizimit të Çarshisë së Gjakovës të titulluar me emrin “Hapësira Historike Urbane – Korniza e funksionalizimi për Çarshinë e Madhe në Gjakovë”.

Gj strategy 01  Gj strategy 02Analizat e para rreth funksioneve egzistuese në Çarshi të madhe të Gjakovës

Më 19 Mars 2015 është mbajtur punëtoria ku është trajtuar tema e vizionit me metodologji gjithëpërfshirëse dhe me pjesëmarrës sikurse: zejtarë, inxhinierë të ndërtimtarisë e arkitekturës, përfaqësues të qeverisë lokale e qendrore, shoqërisë civile dhe përfaqësues të komunitetit dhe bizneseve. Pas përcaktimit të deklaratës së vizionit, pjesëmarrësit më tutje diskutuan veprimet konkrete të cilat u listuan në shërbim të arritjes se po këtij vizioni. Për të arritur deri te deklarata e vizionit, ky grup punues është takuar edhe muajin e kaluar në dy takime të mëhershme ku janë diskutuar dhe është arritur pajtueshmëri në çështjen e përcaktimit të profilit dhe sfidave të Çarshisë së Madhe të bëra përmes analizës SWOT (Përparësitë;Dobësitë;Mundësitë & Rreziqet).

Gj strategy 05Punëtoria e tretë për vizion

Në muajt në vijim, janë të planifikuara edhe dy punëtori të tjera me të gjitha palët e interesit ku do te trajtohen temat e identifikimit të nevojave/masave dhe veprimeve/projekteve si dhe përcaktimi i prioriteteve, resurseve dhe afateve kohore. Në korrik të vitit 2015 pritet të finalizohet dokumenti në fjalë me fokus në tri tematikat e dala nga vizioni: 1. Menaxhimi, 2. Turizmi kulturor & zhvillimi i trashëgimisë kulturore dhe 3. Komunikimi/Lëvizshmëria. Me këtë dokument dhe qasje gjithëpërfshirëse do të krijohen mundësitë për veprime specifike në shërbim të funksionalizimit të Çarshisë së Madhe të Gjakovës.

Projekti “Hapësira Historike Urbane – Korniza e funksionalizimi për Çarshinë e Madhe në Gjakovë” është një nga prioritetet e Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Gjakovës. Ky prioritet është identifikuar në kuadër të Programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore 2012-2015 të hartuar nga CHwB, Komuna e Gjakovës dhe institucione tjera të nivelit qendror.

Lajmet e fundit