Rishpallje e konkursit të bursave për studentë të Rahovecit

Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) zyra në Kosovë, në bashkëpunim me Komunën e Rahovecit dhe institucione tjera të nivelit qendror, ka hartuar Planin Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Rahovecit. Ky plan është hartuar në  kuadër të programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore 2012-2015 në shtatë komuna të ndryshme të Kosovës. Një nga prioritetet e këtij plani është edhe projekti “Stimulimi me bursë për studentë të Komunës së Rahovecit në fushën e trashëgimisë kulturore”.

Reannounc Rahovec

Sahatkulla e Rahovecit

Në takimin e datës 18 Dhjetor 2014, shkaku i mosplotësimit të kritereve të shpallura nga kandidatët, komisioni përzgjedhës (në përbërje prej dy anëtarëve të Komunës së Rahovecit dhe tre anëtarë nga CHwB Kosova) kanë vendosur unanimisht për:

RISHPALLJE TË KONKURSIT PËR BURSA

Bursa universitare ndahet për vitin akademik 2014/2015 për studentët e Komunës së Rahovecit të studimeve themelore (bachelor) dhe atë në drejtime që kanë lëndë të trashëgimisë kulturore, si: Antropologji, Arkeologji, Arkitekturë, Etnologji, Histori, etj.

Për fitimin e bursës universitare studentët duhet t’i plotësojnë këto kushte:
1. Të jenë studentë të rregullt të universiteteve publike në Kosovë;
2. Të jenë studentë të vitit të dytë e më lart;
3. Të mos kenë vit të përsëritur të studimeve;
4. Të kenë notë mesatare të studimeve më së paku 8.00.

Studentët të cilët i plotësojnë kushtet e mësipërme duhet t’i paraqesin këto dokumente:

1. Letër motivimi për interesim të studentit në lëmitë e trashëgimisë kulturore (maks. 1 faqe A4) ku duhet të ceket edhe emri mbiemri, numri i telefonit dhe e-maili i kandidatit.

2. Certifikatën e vitit të regjistruar akademik 2014/2015, duke cekur:
a) se është student/e i/e vitit të dytë e më lart
b) notën mesatare gjatë studimeve
c) se nuk ka vit të përsëritur gjatë studimeve
3. Certifikata e notave (origjinale).

4. Certifikata mbi vendbanimin e përhershëm nga Komuna e Rahovecit.

5. Kopja e letërnjoftimit.

Shënim: Studentët me nota mesatare të njëjta do të vlerësohen në bazë të notave të lëndëve që kanë ndërlidhje me trashëgimi kulturore.

Shuma e bursës do të caktohet varësisht nga buxheti i projektit dhe numrit të studentëve të përzgjedhur që i plotësojnë kushtet e konkursit. Studentët që janë në marrëdhënie të përhershme pune nuk mund të jenë përfitues të bursës. Bursat ndahen për afatin kohor: 01.09.2014 deri më 30.06.2015 (për 10 muaj). Të gjitha dokumentet e kompletuara duhet të paraqiten në zyren e CHwB-së në Kosovë në një zarfë të mbyllur me mbishkrim BURSA RAHOVEC në adresën tonë re: Rr. Idriz Gjilani, Hyrja 4, nr.9, 10000 Prishtina (Lagja Dardania, pas përmendores së Bill Klintonit, tek pllatoja).

Afati i paraqitjes zgjat deri më 13 Shkurt 2015. Vendimi i komisionit përzgjedhës do të publikohet në ueb faqen www.chwb.org/kosovo.

Lajmet e fundit