Regjistrohuni për Tour de Culture 2016

TOUR DE CULTURE është i vetmi aktivitet kulturor çiklistik jo-garues dhe rekreativ në Kosovë i HAPUR PËR TË GJITHË, profesionistë e amatorë, të rinj e të moshuar, femra e meshkuj.

Turi promovon trashëgiminë kulturore e natyrore, transportin e jo-motorizuar për një lëvizshmëri më efektive për të gjithë dhe mbrojtjen e mjedisit. Turi ka lindur si rezultat i sinergjive të parimeve që rrjedhin nga Ditët e Trashëgimisë Evropiane dhe Java Evropiane e Lëvizshmërisë që festohen gjatë muajit shtator në Evropë.

Kjo ngjarje, që organizohet për të nëntin vit me radhë, tenton të zbulojë çdo vit një cep të Kosovës, duke u shndërruar kështu në një aktivitet tradicional për shoqërinë kosovare. Këtë vit, turi do të mbahet në regjionin e Pejës më 25 Shtator 2016, të dielën dhe do të përfshijë vizita në lokalitete të ndryshme të trashëgimisë kulturore e natyrore.

START-i nga fshati Radavc në Pejë është në ora 10:30 dhe përfshin një gjatësi prej 46.8 km deri në Ujëvarën e Mirushës në Klinë. Rruga është lehtësisht e përshkueshme, e asfaltuar, me pjerrësi në disa segmenteve të shkurtëra por e përballueshme për të gjithë pjesëmarrësit. Pas START-it do të ketë vend-ndalje të parashikuara me agjendë, me qëllim që pjesëmarrësit të pushojnë. FINISH-i i aktivitetit në Ujëvarën e Mirushës parashikohet të bëhet në ora 18:00.

map-tour-final-66

KUSHTET E PJESËMARRJES

1.Pjesëmarrja në Tour de Culture është FALAS. Regjistrimi i pjesëmarrësve është i obliguar për të gjithë pjesëmarrësit dhe do të bëhet përms formës online. Afati i fundit i regjistrimit është të mërkurën më 21/09/2016 ora 16:00.

2. Nisja e autobusëve do të bëhet prej stacioneve të autobusëve nga 7 qytetet kryesore të Kosovës dhe atë nga: Prishtina në ora 07:00; nga Peja në 08:30; Gjakova në 08:00; Prizreni në 7:30; Ferizaji dhe Gjilani në ora 6:30 dhe Mitrovica në ora 07:00. Ju lutemi që të jeni së paku 15 minuta para terminit në stacionin e autobusit të qytetit tuaj. Kthimi nga Ujëvara e Mirushës, si stacioni i fundit i turit, për në qytetet fillestare do të bëhet në fund të turit dhe me autobusë të njëjtë.

3. Në START do të keni mundësi të vizitoni Shpellën e Radacit. Çmimi i hyrjes është 2 €, por ditën e eventit biletat do ti sigurojë organizatori.

4. FINISH-i i aktivitetit me biçikleta parashihet të jetë rreth orës 16:00, më pas do të vazhdohet në këmbë deri tek Ujëvara e Mirushës. Kthimi me autobusë parashikohet të bëhet në ora 18:00.

5. Në mënyrë që të arrihen qëllimet e projektit, inkurajojmë pjesëmarrjen e grupeve të prindërve me fëmijë si dhe të mësuesve me nxënës. Për shkaqe sigurie, fëmijët nën moshën 14 vjeçare nuk do të lejohen të marrin pjesë pa përkujdesje nga prindi, kujdestari apo mësuesi.

6. Pjesëmarrësit janë të obliguar ti marrin biçikletat dhe helmetat e tyre personale të cilat transportohen me autobusë dhe kamionë përcjellës nga qytetet e tyre.

7. Organizatori nuk siguron biçikleta me qira. Në rast nevoje, ato duhet të sigurohen nga vetë pjesëmarrësit. Disa nga kontaktet i keni në vijim: Prishtina – Rent Bike + 37745441312, +38649750732; Prizren – Nevron Skenderi +38649837199; Gjakova – Jakova Biking Adventures +38649129370; Gjilan – Besjani Bike +37745610765; Ferizaj – NTP Tranzit +37745404452; Suharekë – Titan Sport +377 44 143 231, +386 49 336 137.

8. Përcjellja policore në fillim dhe fund të turit, dy auto-ambulanca në shërbim të pjesëmarrësve në rast nevoje si dhe mekanikët e biçikletave do të na shoqërojnë përgjatë gjithë turit.

9. Kërkojmë durim dhe mirëkuptim nga të gjithë pjesëmarrësit, duke e marrë parasysh që pjesëmarrësit e turit janë të moshave, gjinive dhe përgatitjeve të ndryshme fizike.

10. Në rast se dëshironi të jeni pjesë e turit por nuk keni mundësi të ngisni biçikletë apo nëse gjatë rrugëtimit ndiheni të lodhur dhe nuk mund të vazhdoni tutje, në fund të kolonës do të keni në dispozicionin tuaj një autobus shtesë i cili do t’ju dërgojë në vend-ndaljen e radhës. Pra, prisni autobusin në fund të turit dhe bashkangjituni.

11. Në rast nevoje ndihma e shpejtë do të jetë prezente gjatë gjithë kohës. Organizatori nuk merr përgjegjësi për sigurimin e përgjithshëm shëndetësor. Ju duhet të kujdeseni për pajisjet, shëndetin dhe logjistikën tuaj në çdo kohë. Pra, pjesëmarrja juaj është plotësisht në përgjegjësinë tuaj!

12. Lusim të gjithë pjesëmarrësit që t’i përcjellin të gjitha këshillat e organizatorëve dhe të policisë në mënyrë që të sigurohet mbarëvajtja e këtij aktiviteti.

Për çdo informatë shtesë (para dhe gjatë turit) mund të kërkoni ndihmën e vullnetarëve tanë por edhe të na kontaktoni përmes faqes së Facebook CHwB Kosova, emailit: gro.b1582577480whc@o1582577480vosok1582577480 dhe telefonat: +38138754866, +37744695421 dhe +38649156600.

sponzorat

Lajmet e fundit