Vazhdojnë punimet e intervenimeve emergjente në tri monumente

Këtyre ditëve janë duke vazhduar punimet intervenuese emergjente në Biblotekën Hivzi Sylejmani në Prishtinë dhe Mejtepin e Haxhi Ymerit në Gjakovë, përderisa punimet intervenuese në Urën e Terzive në fshatin Bishtazhin të Komunës së Gjakovës janë gati për të filluar.

PCF update 1

Ndërtesa e bibliotekës së qytetit “Hivzi Sylejamani” daton qysh nga viti 1930 dhe është ende në funksion nga ana e komunitetit si bibliotekë publike. Përkundër faktit se është një monument arkitektonik, kjo ndërtesë ka pësuar dëmtime për shkak të moskujdesit, kushteve atmosferike dhe trajtimeve të gabuara. Punimet intervenuese kanë filluar me 23 Shtator dhe pritet të përfundojnë në fund të muajit Tetor 2014.

Pasi që ndërtesa ishte dëmtuar nga lagështia  që vinte nga toka, është bërë instalimi i  drenazhës dhe është bërë izolimi i themelit në mënyrë që të mos depërtoj lagështia në ndërtesë. Krahas lagështisë që vjen nga toka, gjithashtu në ndërtesë kishte depërtuar lagështia nga ana e kulmit. Është bërë trajtimi i konstruksionit të drunjtë të kulmit ku është bërë izolimi dhe janë vendosur tjegulla të reja me formë të rrafshët (i llojit të njëjtë sikurse origjinali). Për më tepër, është vendosur sistemi i ri i ulluqeve, pasi që sistemi i vjetër ishte dëmtuar dhe bllokuar. Duke pasur parasysh se lagështia kishte depërtuar brenda ndërtesës, gjithashtu është bërë suvatimi dhe lyerja e  mureve të enterierit.

PCF update 2

Ngjyra aktuale rozë e çelët e ndërtesës ishte e lyer gjatë restaurimit të mëparshëm, diku pas vitit 2000. Tani, fasadat janë lyer me ngjyrën e saj origjinale, atë okër. Gjithashtu, pjesët e dëmtuara të dritareve të jashtme dhe dyerve do të trajtohen së shpejti. Përfundimisht, shtyllat e parmakëve do të punohen duke u bazuar në parmakët origjinal që ishin të dëmtuar.

PCF update 3

Shkolla fetare, Mejtepi i Haxhi Ymerit daton qysh prej shekullit XVIII dhe është një monument arkitektonik, që gjendet në qendër të qytetit të Gjakovës. Pasi që ndërtesa nuk është shfrytëzuar për një kohë të gjatë, ka pasur mungesë të kujdesit dhe  është degraduar për shkak të vandalizmit, vjetërsisë, kushteve atmosferike dhe trajtimeve të gabuara. Punimet intervenuese kanë filluar në fillim të muajit Tetor dhe pritet që të përfundojnë në fund të muajit Nëntor 2014.

Ndërtesa është dëmtuar nga depërtimi i lagështisë nga reshjet e shiut, prandaj është trajtuar  konstruksioni  i drunjtë i kulmit si dhe streha. Përveç kësaj, është bërë rindërtimi i tërësishëm i oxhakut në fasadën e pasme duke u bazuar në gjendjen e tij origjinale. Kulmi do të izolohet dhe mbulohet me të njëjtat tjegulla tradicionale në formë lugore. Poashtu, është bërë mënjanimi i lagështisë nga toka përmes instalimit të drenazhës, dhe  izolimit të themelit.

Fasadat do të suvatohen me llaç balte me kashtë dhe kornizat e drunjta të fasadës kryesore do të trajtohen dhe lyhen sërish. Problemet me statikën e enterierit do të zgjidhen me përforcimin e shtyllës së drurit.

PCF update 4

Tani, me pajisjen e lejes nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për intervenimet emergjente në Urën e Terzive, punimet e implementimit janë gati për të filluar. Intervenimet do të përqendrohen kryesisht në konsolidimin e  këmbës së majtë të harkut kryesor, trajtimin e pjesës së poshtme të bazamentit të harkut kryesor, trajtimin e shtresës së kalldrëmit dhe murit anësor në hyrje të urës nga ana lindore (drejtimi për në Prizren) si dhe largimin e kolonizimit biologjik.

Këto projekte janë pjesë e programit të intervenimit emergjent kulturor për 3 ndërtesa të trashëgimisë kulturore në Kosovë, financuar nga Fondi Princ Claus për Kulturë dhe Zhvillim në partneritet me Trashëgiminë Kulturore pa Kufij (CHwB) zyra në Kosovë. Për më shumë informata rreth programit kliko këtu.

Lajmet e fundit