Në përkrahje të vlerave të trashëguara dhe të drejtës së komunitetit për ti gëzuar ato

Fondacioni suedez Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) me shqetësim të thellë e mori informacionin se kalldrëmi i Çarshisë së Vjetër në Gjakovë është hequr dhe ka filluar të zëvendësohet me shtroje guri të formës tjetër. CHwB konsideron që ky veprim i ndërmarrë dëmton rëndë vlerat e trashëgimisë kulturore të cilat i ka trashëguar Çarshia e Vjetër. Kalldermi është material tradicionalisht i përdorur në qendrat urbane jo vetëm në Kosovë, i cili është shndërruar tashmë në pjesë identitare dhe përbërëse të zonave historike, veçmas e Çarshisë së Gjakovës.

CHwB konsideron se ndërhyrjet në Çarshi duhet të respektojnë autenticitetin! Dizajni, materiali i përdorur, mjeshtria dhe konteksti lokal janë tipare të patjetërsueshme të autenticitetit!

Ndaj, ndërhyrjet e tilla duhet të bazohen mbi respektin ndaj materialit origjinal…(Karta e Venedikut, artikulli 9).

Çarshia e Vjetër në Gjakovë është hapësirë urbane që karakterizohet me rrugicat, dyqanet, shtëpitë e vjetra dhe ndërtesat religjioze. Secila veç e veç paraqesin vlera të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, mirëpo ato duke plotësuar njëra tjetrën krijojnë tërësinë – Arealin e quajtur Zonë historike (të njohura si Site), kategori e njohur edhe në konventat ndërkombëtare.
Çdo ndërhyrje në Çarshi duhet të konsiderojë integritetin e saj urban dhe arkitektonik.

Zonat historike duhet të bëhen objekt kujdesjeje të posaçme për të ruajtur tërësinë e tyre, për të siguruar gjendjen e tyre të mirë … (Karta e Venedikut, artikulli 14).

Autoritete lokale duhet ta kenë parasysh që përgjegjësia për trashëgiminë kulturore dhe menagjimi i përket, në radhë të parë, komunitetit që e ka krijuar dhe atyre që përkujdesen për të. Këtyre ditëve kemi parë një pjesëmarrje inkurajuese të komunitetit për të kundërshtuar veprimet e ndërmarra nga autoritetet.

CHwB mbështet si të drejtë vendimin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të ndalur punimet në Çarshinë e Gjakovës. Sipas këtij vendimi, punët duhet të ndalen menjëherë dhe komuna duhet të ketë komunikim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Është përgjegjësi e komunës që ndërhyrjet të jenë në harmoni me Ligjin për Trashëgimi i cili kërkon që ndërhyrjet të miratohen nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

CHwB shpreson në respektimin e ligjshmërisë nga ana e autoriteteve komunale.

CHwB rekomandon që të shfrytëzohet ky moment për të filluar një proces konsultimesh gjithëpërfshirëse me komunitetin dhe njohësit e fushës. Është e rëndësishme që vullneti i Komunës për të investuar në Çarshinë e Vjetër të jetë i pranuar dhe i mirëpritur nga komuniteti dhe profesionist.

Lajmet e fundit