Mbahen takimet e forumeve lokale të shtatë komunave partnere

 

Prej datës 21 deri 24 Dhjetor 2014 janë mbajtur takimet e VIII-ta të rregullta të Forumeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore. Këto takime janë mbajtur në kuadër të programit katërvjeçar (2012-2015) të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore në shtatë komuna të Kosovës. Takimet janë bashkë udhëhequr nga menaxheri i programit, Enes Toska dhe koordinatorët lokal të komunave të Dragashit, Gjakovës, Gjilanit, Kaçanikut, Parteshit, Rahovecit dhe Vushtrrisë.

forum 8 home

Qëllimi kryesor i këtyre takimeve ka qenë njoftimi i anëtarëve të Forumeve rreth ecurisë së zbatimit të projekteve të dala nga Planet Lokale të Trashëgimisë Kulturore të komunave partnere. Gjatë takimeve, përmes prezantimeve të ndryshme anëtarët patën rastin të njoftohen rreth projekteve të zbatuara. Gjatë sesioneve nuk munguan pyetjet, sugjerimet dhe diskutimet e ndryshme që ndërlidheshin me projektet e sipërpërmendura.

forum 8 2Në kuadër të agjendës së takimit, interesim të veçantë të pjesëmarrësve pati ligjërata e Prof. Shqipe Nixha, nga Universiteti i Prishtinës e cila ka mbajtur një prezantim mbi “Praktikat e Konservimit të Qëndrueshëm të Trashëgimisë Kulturore në Kosovë – Sfidat dhe Mundësitë”. Ky prezantim është fokusuar në sfidat e përgjithshme të trashëgimisë kulturore në Kosovë ku në mënyrë më specifike janë trajtuar edhe rastet në Hamamin e Madh të Prishtinës, ish hotelin “Union” në Prishtinë dhe Hidroelektranën në Prizren.

forum 8 1

Në sesione të ndryshme të takimeve, nga zyra e CHwB në Kosovë, Dukagjin Bakija ka prezantuar rezultatet e projektit shtrat dhe mëngjes në fshatin Hoçë të Madhe të Rahovecit dhe projektet e financuara nga Bashkimi Evropian “Mirësevini në Dukagjin” dhe “Shihemi në Dukagjin”; Senat Haliti ka ndarë përvojën e tij me projektin e restaurimit të Kalasë së Vushtrrisë; përderisa Enes Toska ka prezantuar qasjen e CHwB në programin e ndërhyrjeve emergjente dhe dokumentarin e projektit të Valleve të Karadakut.

forum 8 3

Forumet Lokale të Trashëgimisë kulturore janë autorë të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore në 7 komuna partnere. Secili Forum përbëhet nga gjithsej 20 anëtarë, ku më shumë se gjysma e anëtarëve janë nga autoritetet lokale dhe shoqëria civile e komunave përkatëse dhe të tjerët janë përfaqësues të institucioneve qendrore dhe organizatave ndërkombëtare. Katër rolet kryesore të Forumeve në kuadër të këtij programi katërvjeçar janë: 1. Platformë komunikimi dhe koordinimi ndërinstitucional (2012-2015); 2. Trup vendimmarrës në hartim të planeve dhe vendosjen e prioriteteve (2012); 3. Trup mbikëqyrës dhe përkrahës gjatë zbatimit të prioriteteve të dala nga planet (2013-2015); dhe 4. Partnerë implementues të disa nga prioriteteve që dalin nga po të njëjtat plane (2013-2015).

Lajmet e fundit