FUSHAT KREATIVE PËR APLIKIM- HERITAGE SPACE IV

Rrëfim & Interpretim

Rrëfimi është metodologji e hulumtimit të kujtesës kolektive, historisë së ruajtur e rrëfyer si tregim, dijes lokale, trashëgimisë popullore, përrallave, mitologjisë, legjendave etj., e cila përmes kombinimit të teknikave të ndryshme, shpalos tregime të cilat eventualisht kanë për qëllim të argëtojnë, edukojnë, ruajnë dhe pasurojnë kulturën e përbashkët. Në anën tjetër, nëpërmjet mundësive të shumta që kjo metodologji ofron, krijohet hapësirë për pespektivën e njeriut si prodhues apo dëshmitarë i një të kaluare të përbashkët. Rrëfimi përfshinë mediume të ndryshme të reprezentimit siç janë filmi, dokumentari, ekspozita, publikime, teatër, fotografi, foto-ese etj.

Interpretimi siç mendohet sot i referohet procesit te narrativizimit te trashëgimisë materiale, në menyrë që ajo të komunikojë dhe ta gjejë audiencën e saj. Interpretimi krijon lidhje në mes trashëgimisë dhe vizitorit në mënyrë që ky i fundit të krijojë lidhje kognitive dhe emocionale me të. Si i tillë, interpretimi shpalos kuptime dhe tregime, duke i dhënë “jetë” nje objekti, ndërtese apo tjetër manifestimi të trashëgimisë materiale. Modalitetet e interpretimit mund të variojnë nga “guided walks”, ekspozim, shenjëzim, emërtime, vepra arti, broshura, udhërrëfyes – audio, medie audio-vizuele etc.

Artizanate

Artizanatet dhe artefaktet konsiderohen si një lloj burimi kulturor që përveç funksionit si pasuri kulturore apo narrativë historike e një shoqërie mund të marrin një funksion të ri përmes një komunikimi dhe qasje të re. Këto resurse kulturore mund të shërbejnë si burim inspirimi për krijimin e produkteve të reja që do të gërshetonin motive të trashëguara nga artefaktet historike dhe mjeshtëri të punëdores, me forma të reja të krijimit. Si rezultat, përveç reprezentimit të tyre si produkte të reja kulturore, ky gërshetim do të mundësonte fuqizimin e sektorit që përfshin zejtarët e ndryshëm, rrobaqepësit, dizajnerët etj., dhe rrjedhimisht gjenerim të të ardhurave dhe zhvillim ekonomik.

Heritage Space do të përkrahë punë të individëve kreativ, dizajnerëve dhe krijuesve të cilët bëjnë inovacion përmes eksplorimit të materialeve (motiveve, formave, teksturave) dhe mjeshtërive (aftësive të punëdores). Heritage Space do të mbështesë hulumtime për identifikimin e shenjave, simboleve, motiveve të cilat janë manifestim i trashëgimisë kulturore të Kosovës, të cilat mund të ri-krijohen në produkte të reja siç janë suveniret, punimet e drurit dhe metalit, tekstili apo edhe të manipulohen për t’i shënjuar gotat, filgjanat, veshjet, çantat, shportat e ndryshme etj.

Trashëgimia dixhitale

Koha që shpenzojmë në pajisjet digjitale po rritet me një ritëm të paprecedentë. Ndërkohë, ne banojmë në një hapësirë gjeografike me trashëgimi të madhe të paexploruar dhe të pazbuluar. Nëpërmjet kësaj thirrjeje për projekte, ne duam të shqyrtojmë mundësinë e tejkalimit të këtyre dy boshllëqeve, për të parë se si ne mund t’i ndikojmë që njerëzit ta njohin dhe kuptojnë më mirë trashëgiminë kulturore lokale. Ne po u ofrojmë artistëve mjetet për të ndërtuar dhe dizajnuar përvoja, produkte dhe / ose shërbime që do të sjellin trashëgiminë kulturore në vëmendje dhe do të ndërtojnë një zinxhir vlerash nga të  cilat përfiton vendi, përdoruesit dhe artisti.

Prandaj, nuk do të marrim parasysh sa i avancuar është përdorimi i mediave / teknologjisë digjitale në projektet e propozuara, por më shumë në kontekstin e përdorshmërisë, qasjes, përvojës së përgjithshme dhe produktit përfundimtar që do të ofrojë për audiencën e synuar, duke sjellë trashëgiminë kulturore lokale në një dimension të ri të përceptimit.

Gjatë procesit të mentorimit, Heritage Space do të trajtojë çështjen e përvojës së përdoruesit dhe të krijimit të lidhjeve më të mira midis:

  • Mjeteve digjitale dhe konceptit të përzgjedhur për projektin
  • Aftësia e përdoruesve për të kuptuar, parë dhe / ose përdorur rezultatin e produktit
  • Dhe se si janë përdorur vlerat e trashëgimisë kulturore.

 

*Përshkrimi i fushave kreative është përgaditur në bashkëpunim me mentorët. 

 

Lajmet e fundit