Transformimi i mahnitshëm i shtëpisë së Zejnullah Beut

Zejnullah beu house home

Shtëpia e banimit e Zejnullah Beut gjendet në fshatin Balincë të Komunës së Vushtrrisë. Kjo ndërtesë është monument i trashëgimisë arkitekturale nën mbrojtje të ligjit për trashëgimi kulturore. Ajo është e ndërtuar në fillim të shek. XX, si pjesë e shumë pronave që i kishte në pronësi ky tregtar i pasur. Besohet se fillimisht kjo shtëpi ishte ndërtuar si vilë-pushimore, pasi që familja jetonte në shtëpitë dhe pronat tjera që kishin në rajonin e Vushtrrisë. Si patriot i madh dhe arsimdashës, Zejnullah Beu la këtë shtëpi të përdoret si shkollë. Të dhënat na tregojnë se para dhe gjatë periudhës së luftës në Kosovë shtëpia kishte funksionuar edhe si stacion policor, ku ishin krijuar edhe dhomat e burgjeve në katin e sipërm.

Zejnullah beu house 1

Për shkak të vjetërsisë, mungesës së mirëmbajtjes, mos shfrytëzimit dhe dëmeve të pësuara nga lufta, shtëpia e Zejnullah Beut ishte e rrezikuar, në gjendje të mjerueshme dhe në nevojë të madhe për intervenim dhe investime.

Kjo ndërtesë është përzgjedhur si një nga prioritetet e Planit Lokal të Trashëgimisë Kulturore të Vushtrrisë të zhvilluar në kuadër të Programit të Planeve Lokale të Trashëgimisë Kulturore në 7 komuna të Kosovës dhe Programit të Intervenimeve Emergjente në 50 ndërtesa të trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Punët emergjente dhe restauruese në këtë shtëpi janë zbatuar gjatë sezonit të verës së vitit 2014. Intervenimet në ndërtesë kanë filluar me demolimin e pjesëve të dëmtuara dhe të kalbura dhe më pas është bërë pastrimi i tyre. Pjesët e dëmtuara të mureve në përdhesë janë konsoliduar me gur dhe llaç të njëjtë me origjinalin. Muri kryesor në katin e parë ka qenë tërësisht i shkatërruar dhe si i tillë është konsoliduar. Njëkohësisht kurora e katit të parë është rindërtuar duke u bazuar në fotografitë e më hershme si dhe duke u bazuar në një pjesë të kurorës së mbetur në pjesën perëndimore. Gjatë konsolidimit të mureve është intervenuar edhe tek pjesa e dekoreve të fasadës. Në gjendjen ekzistuese është hasur edhe në mbylljen e dritareve origjinale me tulla dhe me gurë. Këto hapësira të mbyllura janë rihapur dhe përgatitur për montimin e dritareve të reja. Pas rifugimit të gurëve në përdhesë janë suvatuar muret e katit të parë me llaç gëlqeror. Përveç mureve janë trajtuar dhe suvatuar edhe kurorat dhe dekoret e fasadave.

Zejnullah beu house 3

Pozicion tjetër ishte dhe konsolidimi i konstruksionit meskatësh nga druri. Trarët ekzistues në gjendje të mirë janë ripërdorur, ndërsa ata në gjendje të papërdorshme janë zëvendësuar me trarë të ri. Pas vendosjes së trarëve është bërë fiksimi i tyre si dhe lyerja me material kundër lagështisë. Me pas është bërë edhe dërrasimi i meskatit si dhe vendosja e shtyllave tjera për të filluar me rindërtimin e konstruksionit të kulmit.

Zejnullah beu house 2

Rindërtimi i konstruksionit të kulmit është bërë duke u bazuar në gjendjen autoktone. Përveç rindërtimit të konstruksionit të kulmit është bërë edhe dërrasimi,  hidroizolimi dhe vendosja e tjegullave mediterane “Tondach”. Në këtë fazë të intervenimit është bërë edhe rindërtimi dhe pastrimi i dy oxhaqeve ekzistuese.

Zejnullah beu house 4

Pasi që kornizat e dritareve kanë qenë shumë të kalbura, është bërë vendosja e të gjitha dritareve të reja të ndërtesës duke u bazuar në modelin e tyre ekzistues.

Në fund është bërë edhe konsolidimi i shkallëve të brendshme të drurit si dhe rindërtimi i shkallëve të jashtme nga guri.

Ky projekt është financuar përmes fondeve të shtetit të Suedisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës.

Zejnullah beu house 5 Zejnullah beu house 6

Lajmet e fundit