CHwB në Kosovë përkrahë fuqimisht pranimin e Kosovës në UNESCO

Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) në Kosovë përkrahë fuqimisht iniciativën e institucioneve të Kosovës për pranim në UNESCO. Ne konsiderojmë që kjo iniciativë është e një rëndësie vitale që diversiteti i trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Kosovës të ruhet dhe të promovohet edhe në nivel global. CHwB Kosova konsideron trashëgiminë kulturore si një forcë aktive në pajtimin, ndërtimin e paqes dhe zhvillimin social e ekonomik të vendit.

Untitled-1

Foto: Arben Llapashtica. “Hyjnesha në Fron” – artefakt që u gjet në zonën e Ulpianës, në periferi të kryeqytetit, Prishtinës. Ajo daton nga viti 3500 para Krishtit në epokën neolitike dhe është e realizuar në argjilë.

Kosova, shteti më i ri i Evropës, është i pavarur që nga 17 shkurt 2008. Shpallja e pavarësisë ishte akti final i zhvillimeve të dhimbshme të fundshekullit XX në Ish-Jugosllavi që rezultoi me luftëra dhe shumë viktima. Sot, shoqëria e Kosovës është duke kaluar nëpër periudhën e tranzicionit të pas-luftës. Strehimi dhe rindërtimi ishin sfidat e para të cilat u tejkaluan me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare. Ekonomia, punësimi, arsimi dhe zhvillimi i demokracisë mbeten prioritete për shoqërinë e Kosovës në vitet që vijnë.

Kosova ishte pikëtakim i perandorive dhe civilizimeve që nga antika. Periudhat e ndryshme kanë lënë gjurmët e veta përmes ndërtimeve që janë përzierje e stileve me ndikim dhe mjeshtërive lokale. Përpos lokaliteteve arkeologjike dhe qyteteve të vjetra antike, kishave dhe manastireve, xhamive, çarshive, hamameve, në Kosovë gjenden edhe vlerat e kulturës së ndërtimit popullor, sikurse kullat dhe shtëpitë tradicionale qytetare. Lista zyrtare e trashëgimisë kulturore sot numëron mbi 1500 lokalitete. Krahas trashëgimisë ndërtimore, Kosova është e njohur edhe për trashëgiminë shpirtërore, diversitetin etnik, fetar dhe gjuhësor të popullit të saj. Jo rrallëherë, ky diversitet është kanosur. Populli i Kosovës tashmë përmes institucioneve ka zhvilluar legjislacion për t’a mbrojtur këtë pasuri dhe në këtë rrugëtim ballafaqohet edhe me sfida të ndryshme.

Ne besojmë që ky  thesar është një arsye e fortë që Kosova të jetë pjesë e UNESCO-s. Përvojat ndërkombëtare nëpërmes rrjeteve  të profesionistëve  brenda komiteteve të UNESCO-s do të krijonin mundësi të reja edhe për profesionistët kosovar.  Lokalitetet e trashëgimisë kulturore në Kosovë do të bëheshin më të vizituara ndërsa Kosova përmes diversitetit kulturor  do të përfaqësonte një imazh të ri. Prandaj ne besojmë se UNESCO do ta pranojë në gjirin e saj Kosovën dhe trashëgimia kulturore e saj të merr vendin e merituar në mesin e vlerave botërore të trashëgimisë.

Trashëgimia Kulturore pa Kufij (CHwB) është organizatë e pavarur jo-qeveritare e dedikuar për shpëtimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore të prekur nga konflikti, neglizhenca njerëzore apo fatkeqësitë natyrore. Që nga themelimi i zyrës sonë në Kosovë, më 2001, CHwB ka dhënë kontributin e saj në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë sonë të përbashkët.

Për më shumë informata rreth iniciativës së Kosovës për pranim në UNESCO vizitoni http://www.kosovoinunesco.com/

Lajmet e fundit